LSDM sot ia dorëzoi kryeministrit Hristijan Mickoskit dokumentet për të cilat pretendojnë se janë dëshmi se ministri i Mjedisit Izet Mexhiti ka punuar ilegalisht. Ish-partia në pushtet thekson se dokumentet janë relevante, sepse janë të institucioneve shtetërore me numra arkivi, vula dhe nënshkrime.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË:
“Sot do t’ia dorëzojmë kryeministrit Mickoski dokumentet për skandalin me zëvendëskryeministrin Mexhiti. Ja dokumentet që na janë dorëzuar nga denoncuesit dhe që janë të institucioneve shtetërore, me numra arkivi, vula dhe nënshkrime. Këtu thuhet qartë se Inspektorati Shtetëror Administrativ ka konstatuar parregullsi në punë, se Mexhiti ka tejkaluar autorizimin ligjor, duke i firmosur personalisht të gjitha rastet”.
Ndërkaq, Qeveria pas kontrollit të dokumenteve të dorëzuara nga LSDM-ja ka njoftuar se i hedh poshtë siç thonë ata spekulimet dhe pretendimet e pasakta të LSDM-së dhe BDI-së lidhur me punën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Edhe ata thonë se Inspektimi i kryer nga Inspektorati Administrativ ka të bëjë me aspekte të veprimtarisë arkivore dhe nuk ka evidentuar veprime të kundërligjshme.
QEVERIA
“Kjo praktikë administrative në punë është krijuar në vitin 2017 dhe është aplikuar në vazhdimësi nën udhëheqjen e ministrave të LSDM-së dhe BDI-së në qeveritë e kaluara. Nëse sipas logjikës së Kuzevskës, kjo është shkelje e ligjit, atëherë do të thotë se ligji është shkelur nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së”.
Ndërkaq, ministri Izet Mexhiti sot demantoi akuzat e BDI-së dhe LSDM-së lidhur me keqpërdorimet në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ai tha se nuk është e vërtetë se i janë marrë kompetencat, por siç sqaroi ai bëhet fjalë për një inspektim të rregullt administrativ ku është dhënë vërejtje për praktika të cilat janë të vendosura më herët, praktika për të cilat Mexhiti thotë se datojnë që nga koha kur ministrat kanë qenë të BDI-së dhe në fund edhe të LSDM-së.
IZET MEXHITI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR
“Fillimisht reaguan se janë marrë ingerencat, janë zvogëluar ingerencat dhe dolën që nuk e kanë të qartë procedurën përkundrazi ingerencat mirren, përcaktohen me kushtetutë dhe me ligje dhe nëse ka pas ndryshim ka ndryshim se inspektorati i ambientit jetësor deri më heret ka qenë inspektorat autonom tash është pjesë e ministrisë së ekologjisë, kur e panë se këtu dështuan, intenca e dytë është për të paraqitur një inspektim të rregullt të inspektoratit administrativ ku u dha sqarime edhe nga ministria e administratës që është inspektim i rregullt dhe ka dhënë një sugjerim, një vërejtje jo për kompetencat, jo për shkelje ligjore por thjeshtë ka të bëjë me një praktikë të vendosur më herët”.
Reagim lidhur me këtë çështje sot pati edhe nga Ministria e Mjedisit të cilët thonë se paralajmërimet dhe vërejtjet për punën në zyre dhe arkiv të shërbimeve në Ministri nuk përbëjnë skandal. Ata theksuan se mbikëqyrja e rregullt inspektuese nga Inspektorati Administrativ ka të bëjë ekskluzivisht me aspektet teknike të punës arkivore dhe në zyrë dhe se në asnjë moment nuk u konstatua ndonjë keqpërdorim i pozitës zyrtare apo sjellje të tjera të paligjshme.
MINISTRIA E MJEDISIT JETËSOR DHE PLANIFIKIMIT HAPËSINOR
“Mënyra e punës në zyrë dhe asaj arkivore në Ministrinë e Mjedisit Jetësor është krijuar në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë është zbatuar e pandryshuar nga të gjithë ministrat që kanë udhëhequr ministrinë – si nga radhët e LSDM-së dhe BDI-së. Këtë mënyrë të punës e kanë ndjekur edhe ministrat Nurhan Izairi, Bashkim Ameti, Sadulla Duraku, Naser Nuredini dhe Kaja Shukova”.
Ditë me radhë Mexhiti si drejtues i ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor u akuzua nga BDI-ja dhe LSDM-ja për keqpërdorime në punën e tij në ministri.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/