Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për 30 vite burg për shtetasin Agron Tufa, i cili në korrik të vitit 2018 vrau me pushkë dhe groposi në një parcelë Kejsi Hysën, ose i njohur ndryshe si “Piku Fajdexhiu”.
Tufa do të vuajë 30 vite heqje lirie, në një burg të sigurisë së lartë.
Ai akuzohet për 3 vepra penale “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, po në bashkëpunim, si dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, gjithashtu në bashkëpunim.
Që pas ngjarjes kriminale, Tufa u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Më 6 qershor 2024 ai u arrestua në Itali, ndërsa ekstradimi i tij u bë më 13 shtator 2024.
NJOFTIM PER MEDIA
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Mbi bazën e materialit referuar nga Komisariati i Policisë Krujë, prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, ka regjistruar procedimin penal të vitit 2018, i cili lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 07.07.2018, ku shtetasi me iniciale S. H në Komisariatin e Policisë Laç ka bërë kallëzim për zhdukjen e djalit të tij me iniciale K. H.
Pas marrjes në pyetje të shtetasit me iniciale H. R, ky i fundit ka deklaruar se ai së bashku me shtetasin A. T e kishin vrarë dhe groposur pranë varrezave të lagjes shtetasin me iniciale K. H.
Mbi kërkesën e Prokurorisë, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është zhvilluar gjykimi i çështjes penale ndaj:.
I. të pandehurit me iniciale A. T (në mungesë), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 76-25, 278/1-25 dhe 303-25 të Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin nr. 99, datë 17.06.2021, ka vendosur:
· Deklarimin fajtor të pandehurit A.T për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 76-25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 20 (njëzet) vite burgim.
· Deklarimin fajtor të pandehurit A. T për kryerjen e veprës penale të “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 278/1 -25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
· Deklarimin fajtor të pandehurit A. T për kryerjen e veprës penale të “fshehja ose asgjësimi i kufomës” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 303-25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
· Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve për të pandehurin A. T, duke u dënuar me një vendim të vetëm prej 30 (tridhjetë) vite burgim.
· Vuajtja e dënimit për të pandehurin A. T të kryehet në një burg të sigurisë së lartë.
Më datën 06.01.2024, nga Autoritetet Italiane është bërë i mundur arrestimi i të pandehurit me iniciale A.T me qëllim ekstradimin e tij nga Roma në Shqipëri; ekstradim ky, i cili është kryer në datë 13.09.2024.
Mbi kërkesën me objekt: “Rivendosje në afat të ankimit ndaj vendimit nr. 99, datë 17.06.2021 të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë” të paraqitur nga ana e përfaqësuesit ligjor të të dënuarit me iniciale A.T , Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr.1244, datë 10.12.2024 ka vendosur:
“Rivendosjen e të dënuarit A.T në afat për të bërë ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, kundër vendimit nr 99, datë 17.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë…”
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga i pandehuri me iniciale A. T, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me një tjetër trup gjykues.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 25.02.2025 Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 99, datë 17.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Tiranë, më 25.02.2025
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM
***
NGJARJA
Krimi i tmerrshëm tronditi zonën në korrik të vitit 2018, ku Hysa u qëllua me një plumb të vetëm pushke në kokë, duke i shkaktuar vdekjen dhe më pas u gropos pranë parcelës me kanabis.
Për ngjarjen e rëndë ishte bërë shkak humbja e një sasie prej 50 kg kanabis. Viktima, Kejsi Hysa, që njihej edhe me disa emra të tjerë (Elion Hysa dhe Piku Hysa) ku më i spikaturi është “Piku Fajdexhiu”, kërkohej nga Policia e Sarandës për vrasjen e Edmond Theodhorit, ndërsa jetonte në Krujë ku jepte para me fajde dhe kultivonte lëndë narkotike kanabis sativa.
Madje, në këtë zonë administronte i pa shqetësuar edhe një lokal i quajtur bar “Nikla”, ku ishte njohur edhe me Hysni Ramën. Ky i fundit, e ndihmonte për të ruajtur lëndën narkotike kundrejt pagesave nga 100 deri në 200 euro. Por, pati një moment kur krisja midis dy miqve ishte e pa kthim dhe shkak ishte 50 kg kanabis e humbur.
Hysni Rama ka pretenduar se droga ishte vjedhur, ndërsa në këmbim, Hysa ka kërkuar 15 mijë euro. Për këtë arsye, ata kanë lënë takim për t’u sqaruar, ku sipas prokurorisë, janë përfshirë në debate të ashpra për shkak se i kishte sjellë vetëm 1 milion lekë të vjetra.
Në përleshje, Hysa i ka vënë pistoletën në kokë dhe e ka çuar deri tek parcela, por aty, vjen Agron Tufa dhe e qëllon në kokë. Aty bien dakord për ta groposur viktimën dhe më pas shkojnë për të luajtur bilardo, duke lënë makinën e Hysës në vendngjarje. Më vonë, në banesën e Ramës ndajnë eurot e vjedhura të “Piku Fajdexhiut”.
Pas vrasjes, vëllai i të ndjerit, ka detyruar Hysni Ramën të hipte në makinën e tyre dhe të tregonte të vërtetën. Në këtë moment, Agron Tufa telefon Policinë dhe Rama është liruar. Më pas u zbardh e gjithë ngjarja prapa së cilës qëndrojnë pazaret e drogës.