Zgjidhni aplikacione të besueshme, zgjidhini ato të besueshme dhe të sigurta, kini kujdes nga i ashtuquajturi fishing (jini të kujdesshëm ndaj email-eve dhe mesazheve që duken të dyshimta-mos klikoni në lidhje të dyshimta dhe mos dërgoni informacione personale me email, kontrolloni shpesh raportet bankare të kartës së pagesës/kreditit dhe të llogarisë bankare për të dalluar shpejt transaksionet e paautorizuara). Kështu mes tjerash ka deklaruar në një intervistë për Portalb.mk Valon Toska i shpallur si punëtori më i mirë i vitit 2024 nga Kompania “Global Payments International”. Ai edhe më tej foli për arritjet sfidat, kujdesin të cilin duhet shtuar në këtë sferë dhe shumë informacione të tjera.
Portalb.mk: Valon, jeni shpallur si punonjësi më i mirë i vitit 2024 nga Kompania “Global Payments Inc.”, na tregoni më gjerësisht rreth kësaj arritjeje?
Valon Toska: Kompania Global Payments Inc, është një kompani ndërkombëtare e shtrirë në shumë vende të botës e që në fokus të veprimtarisë së saj ka zgjidhjet inovative për pranimin e pagesave. Çdo vit kjo kompani organizon konferencë vjetore, në të cilën, mes tjerash, shpërblen edhe punonjësit më të mirë të vitit. Më 8 janar të këtij viti konferenca u mbajt në Pragë dhe kësaj here ndër punonjësit më të mirë të vitit isha edhe unë, si një nga përfaqësuesit e Gjermanisë. Në këtë kompani unë u punësova para katër vjetësh në pozicionin menaxher i zbatimit (Implementation Manager) dhe sinqerisht u befasova kur kuptova që jam nominuar për këtë çmim, duke pasur parasysh se në këtë kompani punojnë rreth 27 mijë ekspertë. Besoj se profesionalizmi im, përkushtimi, përmbushja e pritjeve dhe korrektësia ime në punë kanë qenë faktorët që kanë mundësuar çmimin punonjësi më i mirë i vitit 2024.
Portalb.mk: Si e vlerësoni ju këtë çmim?
Valon Toska: Edhe pse mua personalisht në parim nuk më pëlqejnë lëvdatat, studimet kanë dëshmuar se në shoqëritë bashkëkohore, në sferën e tregut të punës dhe në atë të ekonomisë së tregut në përgjithësi, shpërblimet dhe çmimet paraqesin një segment shumë të rëndësishëm për një afarizëm të suksesshëm dhe për ngritjen e efikasitetit dhe të produktivitetit të punës. Vlerësimi që i’u bë perfomancës sime në punë, gjithsesi që për mua ka një rëndësi të madhe dhe më jep ndjenjën e përmbushjes.
Portalb.mk: A është ky çmim një shtytës për ju që të vazhdoni të veproni edhe më tej në kuadër të teknologjisë moderne të pagesave?
Valon Toska: Padyshim që po. Në thelbin e shpërblimit si pjesë e menaxhimit të resurseve njerëzore qëndron elementi i motivimit, kurse motivimi është e gjithë ajo që nxit apo ndalon ndonjë person a ekip për ndonjë aktivitet. Ndërkaq për t’u motivuar duhet të ekzistojë një qëllim i caktuar konkret. Në rastin tim ky qëllim është rritja ime profesionale në sferën ku veproj.
Portalb.mk: A është e vështirë për t’u marrë me këtë sferë?
Valon Toska: Më parë do të kisha thënë se është mjaft sfiduese, pasi zhvillimet janë aq të shpejta, saqë për të ecur në hap me to, ju thjesht duhet të jeni syçelë dhe të përditësoni njohuritë tuaja në vazhdimësi.

Portalb.mk: Sa jemi të sigurt gjatë pagesës me kartelë?
Valon Toska: Duam apo s’duam ne, këto pagesa janë aktualiteti ynë. Ka shumë arsye pse karta e pagesës është kthyer në një mjet të preferuar pagese dhe pse një numër në rritje i njerëzve, të rinj dhe të moshuar, e përdorin atë: nuk duhet të mbajmë më para e të numërojmë monedha, karta është e vogël dhe nuk zë shumë vend në portofol, është më e pastër se paraja, nëse e humbim, mund ta bllokojmë menjëherë e kështu me radhë. Por përhapja e gjerë e kartave të pagesës, përdorimi i lehtë i ATM-ve (bankomatëve) i kanë shndërruar ato në një objekt jashtëzakonisht tërheqës për sulm nga kriminelët. Hajdutët modernë nuk vjedhin më kuletat, por kanë gjetur mënyra të reja për të marrë para.
Keqpërdorimet e kartës së pagesës nuk kanë të bëjnë gjithaq me pagesën gjatë blerjeve nëpër dyqane, por ato kryesisht ndërlidhen me procesin e tërheqjes së parave nga bankomati. Një nga mashtrimet më të vjetra është ai kur hajduti ju ndjek deri te bankomati, mban mend PIN-in që keni futur gjatë tërheqjes së parave dhe më vonë ai jua vjedh portofolin dhe tërheq shumën maksimale të parave nga bankomati, para se të kuptoni se ju është vjedhur portofoli dhe para se të bllokoni kartën. Një mënyrë tjetër për të vjedhur para nga llogaria juaj është më moderne. Hajdutët nuk përpiqen fare të vjedhin kartën tuaj, por ata vjedhin vetëm të dhënat që lidhen me të: emrin dhe mbiemrin, numrin e llogarisë, PIN-in. Këto të dhëna “tërhiqen” duke përdorur pajisjet e ashtuquajtura skimmer që i lexojnë të dhënat dhe i përdorin ato më vonë. Megjithëse bankat marrin masa në vazhdimësi që përdorimi i kartave të pagesës të jetë sa më i sigurt, rreziqet për keqpërdorime mbesin. Mirëpo, po të kemi kujdes, them që jemi të sigurt.

Portalb.mk: Si duhet të kemi kujdes?
Valon Toska: I kemi këshillat e njohura dhe standarde për përdorimin e kartës së pagesës: kartën mbajeni gjithmonë në vend të sigurt dhe veçmas nga PIN-i, përpara se të vendosni kartën në bankomat, shikoni ATM-në (bankomatin) për çdo dëmtim të dyshimtë, veçanërisht në këndet e pjesës së sipërme, kur tërhiqni para nga një ATM, mbuloni me dorë numrat kur futni PIN-in, mbrojeni shiritin magnetik të pjesës së pasme nga dëmtimet fizike (gërvishtjet), burimet e rrezatimit elektromagnetik, lagështia, nëse karta juaj humbet ose vidhet, informoni menjëherë bankën që e ka lëshuar atë, mos përdorni kartë pagese për pagesa online nëse nga banka keni kërkuar ndalesë për këtë qëllim, përdorni e-banking dhe kontrolloni rregullisht gjendjen e llogarisë suaj çdo ditë.
Portalb.mk: Po nga faqet online ku bëjmë porosi e ku na i kërkojnë të dhënat e kartës së pagesës, si duhet të mbrohemi që të mos na i marrin të dhënat personale apo të mos bëjnë tërheqjen e të hollave pa dëshirën tonë?
Valon Toska: Edhe blerjet online janë pjesë e jetës bashkëkohore. Për shkak të përparësive që i ofrojnë (shpejtësia, prakticiteti, qasja, reduktimi i kostos etj.), blerjet online gjithnjë e më shumë po pranohen dhe zbatohen nga konsumatorë të ndryshëm. Por ajo që patjetër duhet pasur parasysh gjatë këtyre blerjeve është siguria dhe mbrojtja e të dhënave personale dhe e financave. Në proporcion me rritjen e aktivitetit në internet rritet edhe mundësia e mashtrimeve të ndryshme, prandaj është e nevojshme të minimizohen rreziqet. Sjellja e zgjuar dhe e përgjegjshme kur bëhen blerje në internet është thelbësore për mbrojtjen e informacionit personal dhe financiar.
Kështu, gjithmonë zgjidhni faqe të besueshme dhe të verifikuara (një faqe interneti e sigurt shpesh fillon me https:// në vend të http://), sigurohuni që kërkimi të ketë edhe mundësi bllokimi, kontrolloni edhe reputacionin dhe vlerësimet e faqes, zgjidhni faqet që përdorin teknologjitë më të avancuara dhe janë të përkushtuara maksimalisht për mbrojtjen e sigurisë së konsumatorit, përdorni metoda të sigurta pagese si 3DS – “three domains” security (këto metoda shpesh ofrojnë mbrojtje shtesë: kur bëni pagesë për një blerje në internet, teknologjia 3DS vlerëson nëse nevojitet verifikim i mëtejmë për t’u siguruar që jeni pronari i ligjshëm i kartës dhe nëse jeni, do të orientoheni në një faqe 3DS dhe do t’ju kërkohet një fjalëkalim ose PIN.
Njëkohësisht, banka juaj gjeneron një PIN dhe e dërgon atë në telefonin tuaj me SMS. Ky është kodi që duhet të futni përpara se të përfundoni transaksionin), është gjithashtu e rëndësishme që të përdorni fjalëkalime të forta dhe unike për çdo faqe interneti ku regjistroheni, mund të aktivizoni 2FA: konfirmim me dy faktorë (2FA), kurdo që të jetë e mundur (kërkon një hap shtesë gjatë procesit, siç është dërgimi i një kodi në telefonin tuaj celular), zgjidhni aplikacione të besueshme (pavarësisht se për çfarë e përdorni aplikacionin, zgjidhini ato të besueshme dhe të sigurta), kini kujdes nga i ashtuquajturi phishing (jini të kujdesshëm ndaj email-eve dhe mesazheve që duken të dyshimta – mos klikoni në lidhje të dyshimta dhe mos dërgoni informacione personale me email), kontrolloni shpesh raportet bankare të kartës së pagesës/kreditit dhe të llogarisë bankare për të dalluar shpejt transaksionet e paautorizuara), edukoni veten (të kuptuarit më mirë të teknikave të mashtrimit dhe sigurisë në internet mund t’ju ndihmojë të identifikoni kërcënimet e mundshme), jini të vetëdijshëm për të drejtat tuaja si konsumator dhe si mund t’i përdorni ato nëse përjetoni mashtrime ose probleme me blerjen tuaj në internet, përdorni aplikacionet e sigurisë (merrni parasysh përdorimin e aplikacioneve antivirus dhe të mbrojtjes së identitetit) dhe në fund besojini edhe instiktit tuaj (nëse diçka ju duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë ose ju shtyn të merrni një vendim të shpejtë, jini të kujdesshëm – para se të vendosni, hulumtoni shitësin dhe produktin).

Portalb.mk: Sa është e vështirë për t’u bërë pjesë e kompanive të mëdha që merren me teknologjitë moderne të pagesave elektronike? Si u bëtë ju pjesë e një kompanie të tillë?
Valon Toska: Pasi përfundova shkollën e mesme ndërkombëtare NOVA dhe studimet në drejtimin e Biznes Informatikës në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, studimet e mia të ciklit të dytë i vazhdova në universitetin e mirënjohur Politecnico di Milano në Itali, ku mora titullin master i inxhinierisë menaxheriale. Një kohë të shkurtër punova në bankën Halkbank në Shkup, por ashtu si edhe shumë të tjerë, bashkë me tanimë bashkëshorten time vendosëm t’i ndërtojmë karrierat tona në një mjedis më sfidues e me mundësi më të mëdha.
Në fillim nuk ishte aspak e lehtë, aq më tepër që sapo ne shkuam në Gjermani, filloi pandemia dhe mbyllja. Aplikonim në shumë vende, por as nuk merrnim ndonjë përgjigje. Pas këmbënguljes dhe mos heqjes dorë nga ideja për t’ia dalë, një ditë u ftova në intervistë nga kompania Global Payments Inc. në zyrat e saj në Këln. Bëhet fjalë për një kompani që ofron një gamë të gjerë zgjidhjesh digjitale të pagesave, shërbime të tjera si softueri i pikave të shitjes të bazuara në cloud, një program besnikërie ndaj klientit dhe një portal analizash. Kjo veprimtari ishte në përputhje të plotë me arsimimin tim dhe me përvojën time të punës në bankë. Duke i plotësuar kriteret e kërkuara, m’u dha mundësia të bëhem pjesë e ekipit të kësaj kompanie. Pra, në qoftë se keni përgatitje të nevojshme profesionale dhe vullnet të mjaftueshëm, përfshirja në një kompani të madhe nuk është e pamundur.

Portalb.mk: Si u mirëpritët dhe a kishit mbështetje?
Valon Toska: Çdo fillim ka vështirësitë e veta. Më shihnin ashtu siç shihet çdo i ri i huaj – me dyshime e me paragjykime. Me kalimin e kohës njohja me kolegët u thellua edhe në aspektin profesional edhe në aspektin njerëzor dhe kështu filluan të ndërtohen urat e bashkëpunimit të mirë. Kur jeni nga Ballkani, nuk është e lehtë të pranoheni në një rreth evropian, edhe pse sot vetë Evropa paraqet një tërësi kulturash e mentalitetesh të ndryshme. Në kompanitë e mëdha ku punojnë njerëz të racave, etnive dhe feve të ndryshme paragjykimet duhet të tejkalohen detyrimisht, në mënyrë që bashkëpunimi të bëhet më i lehtë. Vetë fakti që eprori im në mesin e gjithë punonjësve zgjodhi emrin tim si propozim për çmimin punonjësi i vitit 2024, flet se mbështetja nuk ka munguar. Madje, falë përkushtimit tim dhe rezultateve të arritura në punë vjen edhe avancimi në pozicionin Senior Implementation Manager / Technical Consultant, gjë që gjithashtu konfirmon mbështetjen.
Portalb.mk: Si një punonjës i dalluar, çfarë mesazhi do t’i kishit dhënë audiencës së gjerë?
Valon Toska: Jeta e njeriut është një betejë e vazhdueshme. Kjo betejë nuk është nga ato që fitohen ose humben. Thjesht është një betejë që prej nesh kërkon të bëjmë vetëm atë që ne e kemi në dorë. Rëndësi ka që ne të zgjedhim gjithmonë të duhurën-të ndiejmë dashuri e dhembshuri për tjetrin, të jemi të drejtë e të ndershëm, të punojmë me dituri, kompetencë e përkushtim, pavarësisht vlerësimeve e çmimeve.