Memedali Jusufi
Një ndër teoritë më të rëndësishme etike ishte ajo e Immanuel Kantit, deontologjia, e cila besonte në filozofinë se etika ndjek ligjet morale universale të tilla si mos gënjej, mos mashtro. Në kuadrin mediatik kjo qasje filozogike lidhej me respektimin e parimeve bazë për tu afruar me të drejtën dhe të vërtetën, duke u nisur nga raportimi dhe informimi i paanshëm, i lirë, dhe objektiv Mediat tradicionale janë media që kanë ekzistuar para internetit; këto janë radioja, televizioni dhe mediat e shkruara. Nga vitet 1990 dhe me shfaqjen e teknologjisë digjitale, metodat e “konsumit/shpërndarjes së informacionit” evoluan, duke i detyruar këto media tradicionale ta përshtatin përmbajtjen e tyre për të qëndruar sa më afër audiencave të veta dhe thjesht për të mbijetuar. Si rezultat, shtypi i shkruar, radioja dhe televizioni janë rinovuar në strukturë për të ofruar versione “online” si dhe versione për smartphone dhe tableta. Përkundër këtyre mënyrave të reja të informimit, kemi parasysh se, qëllimi i medias tradicionale mbetet i njëjti: shpërndarja e të njëjtit lajm te një grup i madh njerëzish në të njëjtën kohë. I përket pranuesit të lajmit të zgjedhë nëse do ose jo t’i kushtojë vëmendje të veçantë lajmit që i drejtohet.Këto media tradicionale dhe historike, të cilat karakterizohen nga një praktikë profesionale e gazetarisë dhe nga ngurtësia në formatet e tyre (kufizimet editoriale, periodiciteti), kanë reputacionin e tyre si aset kryesor. Ato konsiderohen ende sot si një burim i besueshëm informacioni, veçanërisht përballë shfaqjes së shpërndarjes së lajmeve përmes mediave sociale. Per dallim nga mediat tradicionale , portalet on-line apo portalet e vetshpallur, vuajnë nga mungesa e profesionalizmit, nuk rekrutojnë gazetarë të rinj dhe ka shumë nga ata të cilët funksionojnë nga mirëmbajtja e një personi të vetëm. Ky person në të njejtën kohë është kryeredaktor, redaktor, gazetar, drejtor marketingu, menaxher financash, realizator e kështu me radhë.Ekziston një shprehje që thotë: “Nëse një informacion është i rëndësishëm, ai do më gjejë mua”. Pra tani më nuk jemi ne ata që vrapojnë pas informacioneve, por janë ato që vrapojnë pas nesh. Në radhë të parë kjo lidhet edhe me interesin ekonomik të sajteve, ku në një farë mënyre ishin të detyruara të pajtohen me këtë realitet i cili preku direkt ekonominë e tyre. Reklamapaguesit nuk janë më aq dorëlëshuar të paguajnë shifra marramendëse në kohën e çmuar televizive kur është duke u transmetuar ndonjë emision livesoap përshembull, ngase ata fare lehtë mund të njoftojnë konsumatorin e tyre në internet me mënyra nga më të ndryshmet dhe me çmime shumë më të ulëta. Aty janë edhe rrejtet sociale që ofrojnë marketing pa pagesë ose me shumë pak para. Ekziston mundësia e opsionit boost post. Menaxhuesit e faqeve të ndryshme në facebook (fan page), në momentin që duan të rrisin numrin e ndjekësve, ose të promovojnë një produkt të ri, shfrytëzojnë këtë opsion. Më pas përdoruesve të tjerë të cilët nuk janë ndjekës të asaj faqeje u paraqitet në opsionin suggested page, ku i fton ata të pëlqejnë atë faqe. Mediat tradicionale në ueb duhet të fokusohen dhe duhet të shfrytëzojnë si armë të fuqishme për të sfiduar ato që nuk kanë një lokacion, por se lokacioni i tyre i vetëm është ueb-i. Portalet e mediave tradicionale, pa dyshim se janë më të përgaditura në aspekt profesional, ngase ata burojnë nga një model tradicional i të punuarit. Stafi i gazetarëve me përvojë dhe cilësia e informacionit të tyre është më e lartë. Ata nuk merren shumë me lajmet rozë dhe skandalet e VIP-ave por janë të interesuar të informojnë publikun mbi ngjarjet me karakter publik. Edhe termi karakter publik po cënohet dhe po merr një konotacion tjetër dhe pikërisht ky duhet të jetë misioni i mediave serioze, që të ruajnë dhe kultivojnë informacionin me interes publik, por së pari të ndërgjegjësojnë audiencën mbi vetë termin, pastaj është në dorë të publikut të bëjë diferencën. Rrjetet sociale janë pikëtakimi i të gjithëve, sepse aty qëndron pjesa më e madhe e publikut, por njëkohësisht rrejtet sociale po shndërrohen në një “vorbull” ku vështirëson të bërit e diferencës dhe ndikon në dezorientimin dhe presionin psikologjik tek publiku. Dallimi në mes mediave profesionale dhe atyre amatore është shumëdimensional, mirëpo treguesit që përcaktojnë cilësinë janë: përvoja e punës, investimi në pajisje teknologjike dhe investimi në resurse njerëzore. Do të ishte i mirëseardhur kontributi i ekspertëve të medias për të ndarë përvojat e tyre empirike mbi mirëpërdorimin dhe menaxhimin e drejtë të mediave online nga ana e përdoruesve masiv.Media elektronike, përveç se i dha fund medias mekanike, bëri të mundur që vetë informacioni të marrë disa karakteristika të reja. Karakteristika kryesore lidhet me faktin se vetë informacioni mund të zhvendoset me shpejtësinë e dritës ose të zërit. Mediat elektrike nuk njohin distancat. Kjo lloj medieje realizon komunikimin interaktiv, ku mesazhdhënësi dërgon një mesazh te mesazhmarrësi dhe ky i fundit i jep përgjigjen mesazhdhënësit në çast.