“Derisa jam unë kryeministër, punësime etnike dhe partiake nuk do të ketë”. Kështu ka deklaruar kryeministri, Hristijan Mickoski, i cili ka komentuar premtimet e krerëve të koalicionit VLEN, se do të ketë 2000 deri 3000 punsime në administratë. Mickoski tha se punësimet duhet të bazohen në kompetenca dhe meritokraci, dhe se çdo përpjekje për të përzierë aspekte partiake dhe etnike është e papranueshme.
HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Nuk ka një gjë të tillë, nuk do të ketë kurrë. Kam lexuar se, kam ndjekur mediat, një gjë e tillë nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë derisa të jem kryeministër i qeverisë maqedonase. Do të punësohen, dhe është mirë që të punësohen njerëz që do të jenë kompetentë dhe njerëz që do t’i përgjigjen në mënyrë të duhur atyre punëve, nuk duhet të diskutojmë tani për çelësat partiakë, etnikë. Ne do të bëjmë një ligj që të ketë një përfaqësim të drejtë, etnik, sepse ate që e kanë bërë është anuluar nga Gjykata Kushtetuese sepse “badenteri” është kategori kushtetuese, duhet të harmonizojmë legjislacionin në përputhje me kategorinë kushtetuese. Dikush mund të rrijë duke bërë lista, nuk e përjashtoj këtë, por për sa kohë që unë jam kryeministër, një gjë e tillë nuk do të ndodhë”.
Megjithatë, Micksoki thotë se marrëdhëniet ndërmjet koalicionit qeverisë janë të mira, por tha se ka disa individë që kërkojnë të rrisin vlerësimin e tyre publikisht.
HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Me sa di dhe mendoj se jam i informuar mirë, është e shkëlqyeshme. Tani, ndonjëherë disa individë mund të duan të rrisin vlerësimin e tyre në këtë mënyrë, në një përqindje të caktuar, duke menduar se në këtë mënyrë do të fitojnë më shumë besueshmëri dhe legjitimitet në publik, por kjo është mirë, është një debat i shëndetshëm dhe është i shëndetshëm brenda qeverisë, përndryshe marrëdhëniet janë të mira, do të thosha të shkëlqyera”.
Kujtojmë, para disa ditëve zv/kryeministri Izet Mexhiti, tha se do të punësohen 2000/3000 shqiptarët në administratës shtetërore, gjë që bëri të reagojnë ministrat e administratës dhe financave. Më pas reagoi edhe opozitarja maqedonase LSDM.
Samir Mustafa /SHENJA/