Deputetja nga radhët e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai ka reaguar ashpër ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke e akuzuar atë për lidhje me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe përfshirje në përpjekjet për kthimin e tij në Maqedoni. Ajo e cilëson Osmanin si “kurir të Artan Grubit dhe Ali Ahmetit”, duke e akuzuar për rolin e tij në realizimin e një plani për të mundësuar rikthimin e Gruevskit si qytetar i lirë dhe “hero i BDI-së”.
Në reagimin e saj, Stafai i kujton Osmanit se, si ministër i Punëve të Jashtme, ka qenë i njohur për misionin e tij në lidhjen Shkup – Budapest, ku është përfshirë në transportin e një USB-je që përmbante planin për kthimin e Gruevskit. Deputetja thekson se Osmani ka patur një rol të rëndësishëm si negociator dhe “kurir” i preferuar për misionet sekrete, duke e akuzuar për dëm që i ka shkaktuar popullit shqiptar me veprimet e tij gjatë periudhës së tij në pushtet. Ajo gjithashtu thekson se Osmani po tenton të minimizojë këtë histori dhe të bëjë komente përçmuese për përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri, duke menduar se populli ka një “kujtesë të shkurtër”.