Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të enjten se homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, është udhëheqës legjitim dhe se, ndryshe nga presidenti rus, Vladimir Putin, ai ka ardhur në pushtet përmes një procesi të lirë zgjedhor.
Macroni reagoi pas sulmit verbal të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili Zelenskyn e quajti “diktator pa zgjedhje”, raporton “Reuters”.
Mandati 5-vjeçar i Zelenskyt duhej të përfundonte vitin e kaluar, por në Ukrainë nuk mund të mbahen zgjedhje gjatë kohës së ligjit ushtarak, të cilin Kievi e futi në fuqi në shkurtin e vitit 2022, pas fillimit të pushtimit të plotë rus.
Macroni foli në një bashkëbisedim me pyetje e përgjigje në rrjete sociale si pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për ta bërë popullin francez më të vetëdijshëm për ndikimin e luftës në Ukrainë, rolin diplomatik të Francës dhe ndryshimin e konsiderueshëm të pozicionit të ShBA-së ndaj konfliktit që nga ardhja në pushtet e presidentit Donald Trump.
Të enjten, presidenti francez tha se do të udhëtojë në Uashington për ta bindur Trumpin se interesat e tij janë në vijë me aleatët evropianë dhe se shfaqja e ndonjë dobësie para homologut rus, Vladimir Putin, do ta bënte më të vështirë ballafaqimin me Kinën dhe Iranin.
“Trumpi, e njoh atë. E respektoj dhe besoj se ai më respekton mua. Do t’i them: thellësisht nuk mund të jesh i dobët para presidentit (Putin). Ky nuk je ti, kjo nuk është ajo nga e cila je bërë ti dhe kjo nuk është në interesat tua”, shtoi Macroni.
Sipas tij, paqartësia rreth asaj se si Trumpi po e trajton pushtimin rus të Ukrainës është shqetësuese për aleatët e Shteteve të Bashkuara, sepse ai mund të negociojë diçka që është e pamjaftueshme, por kjo gjithashtu po krijon paqartësi për Putinin dhe se kjo është diçka që duhet të shfrytëzohet për t’i ndihmuar bisedimet.
“Fjala është paqartësia. Donald Trumpi krijon paqartësi në mesin e të tjerëve, sepse ai dëshiron që të bëjë marrëveshje, pra krijimi i paqartësisë nga Donald Trumpi për Vladimir Putinin është një gjë e mirë”, tha Macroni, duke shtuar se presidenti rus nuk e di se çfarë do të bëjë Trumpi ose si do të mund të reagonte ai.
Presidenti francez pritet të shkojë në Uashington të hënën për të zhvilluar bisedime me Trumpin.