Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë nisur të martën takimin e nivelit të lartë në Arabinë Saudite.
Pala amerikane ka thënë se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse, në anën tjetër, ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.
Pala amerikane përbëhet prej Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, përfaqësojnë Rusinë.
Takimi i 18 shkurtit në Riad zhvillohet pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.
“Ky mëtohet të jetë hapi i parë në procesin e gjatë të negociatave, mirëpo gjërat po lëvizin shpejt”, ka thënë Nigel Gould-Davies, ish-diplomat britanik që aktualisht është hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Ekziston një rrjedhshmëri që do të vazhdojë të avancohet në këto kohë paqartësish”.
Rëndësia e takimit
Bisedimet mes dy vendeve janë të parat të nivelit të lartë në vjetët e fundit, dhe kanë për synim hapjen e rrugës për një samit mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Në delegacionin amerikan nuk përfshihet gjenerali i pensionuar, Keith Kellogg, i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për të negociuar një zgjidhje për luftën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedime dhe ka thënë se Kievi nuk do të njohë asnjë marrëveshje të arritur për Ukrainën, kur Ukraina të mos jetë prezente në tavolinën e negociatave.
Zelensky – që aktualisht është në një vizitë në Lindje të Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë – ka konfirmuar se Kellogg do të arrijë në Kiev më 20 shkurt për “bisedime të gjata për garanci të sigurisë”./Radio Evropa e Lirë