Tregtarët kanë dorëzuar në Qeveri propozime për uljen e çmimeve të një grupi produktesh. Siç bëjnë me dije përmes një komunikate për media, Oda Ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë, kryesisht të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore, propozimet i kanë dorëzuar edhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës si dhe te Inspektorati Shtetëror i Tregut, për siç thonë ata masa efektive për uljen e çmimeve të një grupi produktesh.
Oda e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë
“Propozimet janë përgatitur pas mbledhjes së mbajtur të premten në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, së bashku me ministrin, zëvendësin e tij dhe përfaqësues të institucioneve relevante si dhe antarë të Odës”.
Në takimin e së premtes përfaqësuesit e tregtarëve dhe distributorëve propozuan ulje reale të çmimeve të 100-200 produkteve të cilat janë më bazike për përditshmërinë e qytetarëve. Por, ky propozim do të analizohej nga Ministria e Ekonomisë.
Pas rritjes së çmimeve të produkteve dhe dy bojkoteve që bënë qytetarët, të martën Qeveria në seancë e angazhoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës që të përgatis propozim-vendim për 10% kufizim të marzhës për shitjet me shumicë dhe pakicë, e cila do duhet të zgjas deri më 30 prill.
Në propozim vendimin për kufizimin e marzhës janë të përfshira të njejtat 73 grupe produktesh që më herët kanë qenë në shportën konsumatore, por duhet të shtohen edhe produkte të higjienës, siç janë detergjentet dhe ushqimet e foshnjeve si dhe produkte tjera joushqimore, tek të cilat është vërejtur marzhë e lartë, e të cilat janë pjesë e produkteve të nevojshme për qytetarët.
Vendimi për kufizimin e marzhës është sjellur në bazë të raportit të Inspektoratit Shtetëror të Punës, i cili tregoi se tek tregtarët që shesin me shumicë dhe pakicë ka pasur mbi 20% marzhë të produkteve ushqimore bazike dhe 30% marzhë tek produktet e higjienës personale. Tek importuesit dhe distributorët janë vërejtur marzhe më të larta, madje deri në 50 për qind.
Emine Ismaili /SHENJA/