Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë një territor i pasigurt për ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët dëshirojnë të vizitojnë vendin, pavarësisht faktit se, kryeministri Hristijan Mickoski i kishte premtuar të kundërtën Kosovës. Pas rastit të bujshëm me arrestimin e ish pjesëtarëti Blerim Ramadani, që ndodhi vetëm pak kohë pasi qeveria aktuale mori pushtetin, së fundmi, policia e Maqedonisë së Veriut ndaloi edhe një ish pjesëtar tjetër, Emin Bajrami, në vendkalimin kufitar Bllacë, i cili po kërkohej me Interpol nga ana e Serbisë.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Më 14 shkurt 2025, në orën 14:10 minuta në vendkalimin kufitar ‘Bllacë e Poshtme’, në hyrje të shetit, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria personin E.B. (55) nga Kosova, pasi gjatë kryerjes së kontrollimit të pasaportës është konstatuar se është i regjistruar me masën ‘arrestim’ me kërkesë të Interpoli. Ai u është dorëzuar zyrtarëve të Interpolit për procedurë të mëtejmë”.
Kështu thotë njoftimi i policisë në lidhje me ndalimin e Bajramit, ndësa pritet që organet e drejtësisë të sjellin vendim për lirimin apo esktradimin e tij. Kujtojmë se, shtetasi i Kosovës, që është ish pjesëtar i UÇK-së, Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik të vitit të kaluar, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes njësisë së Interpolit në Serbi. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi. Pas arrestimit të tij, Serbia kërkoi që ai të ekstradohet në Beograd. Gjykata Penale vendosi që Ramadani të mos ekstradohet, megjithatë e dërgoi atë në arrest shtëpiak.
Këtë vendim e refuzoi Gjykata Supreme dhe e ktheu përsëri në Gjykatën Penale. E derisa gjykatat e vendit nuk po mund të merreshin vesh se çfarë të bëjnë me Ramadanin, ai u arratis nga Maqedonia e Veriut. Rasti kishte ngritur shqetësime në Republikën e Kosovës, me çka kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë një interviste në Radio Televizionin e Kosovës të realizuar gjatë vizitës së tij në Prishtinë, premtoi se shteti që ai drejton, do të ketë kujdes me rastet e ish pjesëtarëve të UÇK-së, që kërkohen nga Serbia.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Çdokush që nuk i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe që nuk ka konflikt me ligjet dhe Kushtetutën mund të vijë dhe të qëndrojë në Maqedoninë të Veriut. Unë mendoj se kështu duhet të funksionojë”.
Por, kryeministrin, e përgënjeshtroi ministri i tij i Drejtësisë, Igor Filkov, i cili pas kësaj interviste, tha se deklarata e kryeministrit është “keqkuptuar” dhe fletarrestimet e lëshuara nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë, për ish-ushtarët e UÇK-së vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut.
Përpos Ramadanit e Bajramit, Maqedonia e Veriut ka arrestuar me urdhër të Serbisë edhe ish ushtarët Gafur Dugolin dhe Tomor Morinën, të cilët me vendim gjykate janë liruar.
Teuta Buçi /SHENJA/