Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe ndër të tjera diskutoi situatën në Siri dhe Gaza, raporton Anadolu.
Sipas burimeve diplomatike, gjatë takimit të tyre të parë ballë për ballë, i cili ndodhi në margjinat e Konferencës së 61-të të Sigurisë në Mynih, Fidan ndau pikëpamjet e Türkiyes mbi hapat që vendet e rajonit mund të ndërmarrin në luftën kundër grupit terrorist DEASH.
Fidan theksoi rëndësinë e një armëpushimi të përhershëm në Gaza dhe tha se konflikti izraelito-palestinez duhet të zgjidhet për të vendosur paqen rajonale.
U diskutuan në detaje edhe zhvillimet e fundit në lidhje me mundësinë e vendosjes së paqes ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
Fidan në margjinat e konferencës zhvilloi gjithashtu takime të veçanta me homologun e tij nga Mbretëria e Bashkuar, David Lammy, dhe homologen gjermane Annalena Baerbock.
Në takimin e tij me kryediplomatin britanik, Fidan theksoi rëndësinë e unitetit politik të Sirisë dhe u shpreh se qeveria siriane, e cila është në krye pas rënies së regjimit të Asadit në dhjetor 2024, duhet të mbështetet.
Ai tha se një armëpushim i përhershëm në Gaza është thelbësor për paqen në rajon.
Në takimin e tij me kryediplomaten gjermane, Fidan diskutoi zhvillimet në lidhje me luftën në Ukrainë, situatën e sigurisë në Siri si dhe marrëdhëniet transatlantike.