Ndryshimet skandaloze të Kodit Penal të miratuara më 6 shtator të vitit 2023, sërish në vëmendje të opinionit. Gjykata Kushtetuese një ditë më parë hapi iniciativë, ndërkaq Kuvendit i dha afat prej gjashtë muajsh që t’i korrigjojë dispozitat kontestuese ligjore, me të cilat u ulën dënimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shoqërimit kriminal, por edhe u liruan nga ndjekja penale qindra funksionarë dhe u mbyllën raste të korrupsionit të lartë.
Por si erdhi deri te miratimi i këtyre ndryshimeve, të cilat edhe gjykatësit kushtetues dje deklaruan se me të njëjtat është bërë dëm i pariparueshëm? Një grup ekspertësh në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë po përgatiste tërësisht Kod të ri Penal, kur Qeveria e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, ndërhyri me amendamente nën arsyetimin se ka disa çështje urgjente dhe deputetëve u propozoi ndryshimet e Kodit Penal me procedurë të shpejtë, duke keqpërdorur flamurin evropian. Arsyetimi, ishte se këto ndryshime janë për t’u harmonizuar me legjislativin evropian.
Ndonëse ishte në krye të ministrisë së Drejtësisë, Krenar Lloga shmangu plotësisht përgjegjësinë për miratimin e ndryshimeve të cilat i miratoi qeveria në të cilën ai dhe partia e tij përkiste. Ai vetë nuk i firmosi, por as nuk ndërmori asgjë as për t’i bllokuar. Ndryshimet i firmosi zëvendësja e tij, Viktorija Avramovska Madiq. Mospërputhjen me zëvendësen e tij për këto ndryshime, Lloga e kaloi me justifikimin se megjithatë ajo ka kompetenca, ndërkaq përgjegjësia kryesore bie te deputetët.
“Zëvendësministri ka të drejtë ashtu sikur çdo ministër në Qeveri që kur ministri mungon dhe mund të jetë propozues për gjithçka, pra mbetet pas mbështetjes së qeverisë të deklaruar me votim nëse është për atë ose jo. Sido që të jetë edhe të jetë siç e thoni ju propozimin. Përgjegjësia është e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Domethënë ato ndryshime janë bërë me votë të deputetëve të caktuar”, deklaroi Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
Ndryshimet në Kuvend u miratuan me shpejtësi të dritës. Më 4 shtator janë dorëzuar në Kuvend me nënshkrim të Kovaçevskit dhe si propozues i autorizuar Madiq.
Ndryshimet, siç mund të shihni në raportin e votimit, kanë kaluar nga deputetët e LSDM-së dhe BDI-së, ndërkaq deputetët e Aleancës për Shqiptarët pavarësisht se kanë qenë të pranishëm nuk kanë votuar fare.
Ndryshimet në Kuvend u miratuan më 6 shtator, vetëm dy ditë pasi janë dorëzuar, ndërkaq për të njëjtat nuk pati debat publik. Të njëjtat u miratuan në mënyrë jotransparente dhe duke e keqpërdorur flamurin evropian.
Por, nga Bashkimi Evropian përgënjeshtruan autoritetet e vendit, duke shprehur shqetësim dhe kritika për miratimin e ndryshimeve, pasi me të njëjtat zvogëlohen dënimet, ndërkaq kanë implikime edhe ndaj vjetërsimit të lëndëve të nivelit të lartë të korrupsionit.
“Na vjen keq që për mungesën e konsultimit të përgjithshëm me aktorët e brendshëm dhe me Komisionin Evropian para miratimit të tyre, por edhe për përdorimin e flamurit evropian, i cili duhet të jetë konzistent dhe qartë i lidhur me ligjet që fillimisht kanë për qëllim harmonizimin e plotë të të drejtës nacionale me të BE-së”, thonë nga Komisioni Evropian.
Ndryshimet u përcollën me retorikë të ashpër edhe nga ekspertët e brendshëm, ndërkaq të vetmit që iu gëzuan dhe brohoritën ishin qindra funksionarët që ishin të përfshirë në shpërdorimin e fondeve publike. Shumë lëndë, kryesisht ato të ish Prokurorisë Speciale u vjetërsuan përfshi atë për përgjimin masiv të qytetarëve. /Alsat.mk