Fronti Evropian kërkoi sqarime nga zv.kryeministri Ivan Stoillkoviq në lidhje me prezencën dhe fjalimin e presidentit të Republikës Sërbska Millorad Dodik, javë më parë në Shkup. Deputeti Sali Murat tha se Dodikut ju dha hapësirë për qëndrime anti-NATO, në kundërshtim me politikat e shtetit si anëtare e NATO-s dhe u lënduan ndjenjat e bashkësisë boshnjake. Dodik në Shkup ishte i ftuar në Akademinë për festën “Sveti Sava”. Ai mohoi gjenocidin në Srebrenicë dhe I thuri lavde Rusisë. Stoillkoviq u përgjigj se nuk priste që Dodik të mbajë fjalim politik.
“Si e justifikoni keqpërdorimin e pozitës tuaj zyrtare për organizimin e një ngjarje në të cilën ishte ftuar dhe i ishte dhënë platformë për fjalim publik një personi që është i ndëshkuar direkt nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të aktiviteteve rreth destabilizimit të gjithë Ballkanit Perëndimor? E dyta, është ftuar një person i caktuar si kërcënim për integritetin territorial të një shteti mik sovran, Bosnja dhe Hercegovina dhe i cili vazhdimisht punon për destabilizimin e saj?”, tha Sali Murat, Fronti Evropian.
“Sa i takon presidentit të Republikës Sërbska, ai ka ardhur në Maqedoni në dhjetë vitet e kaluara dhe në dhjetë vitet e shkuara gjithmonë kishte fjalim në akademi. Asnjëherë nuk ka qenë problem që të pritet dhe të ketë takime me përfaqësuesit më të lartë shtetëror. Ajo që u pengoi juve dhe më pengoi edhe mua është se e hodhi nën hije këtë imazh të bukur, është mënyra që zgjodhi të drejtohet para njerëzve që ishin të pranishëm në akademi. Mendoj se kryeministri për këtë dha përgjigje se një fjalim i tillë nuk përshtatet me rastin e festave. Fjalimi duhet të përkonte me disponimin e festave dhe jo me mesazhe politike”, u shpreh Ivan Stoillkoviq, zv.kryeministër. /Alsat.mk