Ligji për përfaqësimin e drejtë ka përplasur sot politikanët shqiptarë në Kuvend. Gjatë seancë për pyetje të deputetëve të opozitës drejtuar qeveritarëve, Dijana Toska nga Fronti Evropian ka kërkuar llogari nga zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai se pse nuk janë propozim ligji për përfaqësim të drejtë të shqiptarëve nuk është gati ende dhe nuk është publikuar për opinionin. Ajo tha se, pavarësisht faktit se, Fetai premtoi këtë gjëtë shumë javë më parë, ai mbetet një premtim i pa papërmbushur, derisa vazhdon stagnimi i shqiptarëve në këtë aspekt.
Dijana Toska, Fronti Evropian
“Nuk e kuptojmë pse pas 18 të enjteve ende nuk kemi parë asnjë draft të dokumentit, asnjë përpjekje të hapur për të dhënë atë në debat publik që ju e premtuat vet me gojën tuaj. Ndërkohë, në konferencën tuaj, keni folur për balancuesin dhe si një mjet që ishte nuk solli rezultate të dëshiruara. Por ky balancues është ndoshta vetëm një simbolikë e situatës suaj. Një mjet që ndoshta që kishte lëshimet e veta minore, por që tani po përdoret si alibi për të justifikuar stagnimin dhe mosmarrjen e vendimeve dhe mospërfilljen e shqiptarëve në parim kushtetues të përfaqësimit të drejtë”
Nga ana tjetër, Fetai i është përgjigjur deputetës me kundër akuza. Ai tha se balanuesi që ishte miratuar gjatë periudhës kur BDI ishte në pushtet, është keqpërdorur jashtëzakonisht dhe në vend të shqiptarëve, janë punësuar pjesëtarë të etniteteve të tjera, të cilat janë deklaruar si shqiptarë. Ndërkohë, ai sërish premtoi se, po punohet intensivisht për ligjin dhe se së shpejti do të jetë gati.
Arben Fetai, zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë
“Goran Trajkovski shqiptar, Tatjana Demjuanovska shqiptare, Sterja Gogol shqiptar.. mund të vazhdojë kështu qindra e qindra raste ku balanceri juaj akuzohej për qëllime të ulta tuajat për të punësuar njerëz nga përkatësi të ndryshme, duke i paraqitur ato si shqiptarë dhe keni këtë shkallë të përfaqësimit me zero në shumë institucione, edhe pse keni manipuluar me deklaratat e përkatësisë dhe keni lejuar manipulime të këtilla. Po i numëroni të enjtet, unë po ju numëroj vitet. 18 të enjte nuk janë njësoj si 22 vite deputete e nderuar. Ekspertët të grupit punues brenda koalicionit VLEN – VMRO – ZNAM janë duke punuar, duke u takuar në baza javore, për të sanuar disa nga telashet që ju i keni shkaktuar”.
Kujtojmë se, në tetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi mekanizmin e “balancuesit”, i cili shërbente për përfaqësim të drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore, pas raportimeve të ndryshme për keqpërdorimin e tij. Pas kësaj, qeveria premtoi se do të sjell ligj të ri për përfaqësim të drejtë, megjithatë kjo çështje po vazhdon të zvarritet.
Teuta Buçi /SHENJA/