Lidhur me arrestimin e kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila nuk është aplikuar për shkak se ajo nuk ndodhet në Shqipëri, SPAK ka sqaruar rolin e saj në skemën korruptive të krijuar nga Veliaj.
Sipas njoftimit të SPAK, paratë e fondeve publike përfunduan tek kompania Partners Law të Ajola Xoxës, si dhe të gjitha organizatave jo fitimprurëse që zotërohen prej saj, ashtu sikurse e tek rrethi i saj familjar.
Xoxa për të kamufluar shpenzimet ekstra të saj, ka kryer blerje përmes personave të tretë, paratë të cilat e kanë burimin fillestar prej fondeve publike të bashkisë Tiranë, të cilat u nënshkruan nga Veliaj që t’i kalonin asaj përmes shoqërive dhe organizatave jo fitimprurëse që ajo zotëron.
SPAK sqaron se Xoxa i ka blerë vetes online dhurata të shtrenjta, që konsistojnë veshje, bizhuteri, çanta, e të tjera, që arrijnë vlerën ekzakte 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk janë deklaruar asnjëherë në Deklaratat Periodike të Veliajt dhe personave lidhur me të.
Kështu Ajola Xoxa akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal.
“Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.
Po kështu, kjo shtetase në asnjë rast nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 9049 datë 10.04.2023, në lidhje me deklarimin e pjesëmarrjes së saj në bordin e një organizate jofitimprurëse, e cila provohet të ketë gjeneruar të ardhura të shumta, por edhe njëkohësisht pronare (organizata) e një subjekti tregtar me natyrë fitimprurëse (shpk). Fshehja e këtyre fakteve nga shtetësja nën hetim A. X., ka pamundësuar organet ligjzbatuese për të patur një panoramë të plotë dhe të qartë sa i takon, jo vetëm pjesëmarrjes së kësaj shtetase në borde organizatash, të cilat nga ana e tyre zotërojnë shpk, por çfarë është më e rëndësishme, ka pamundësuar “konstatimin” dhe “gjurmimin” e një sasie të konsiderueshme të hollash, të cilat kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre subjekteve të kontrolluara faktikisht nga shtetësja nën hetim. Pikërisht, mungesa e plotë e kësaj transparence ka bërë të mundur më pas edhe funksionimin e një skeme kaq të organizuar të lëvizjes së shumave monetare, nga, dhe nëpërmjet këtyre OJF-ve dhe shpk-ve.”, sqaron SPAK në njoftimin e saj zyrtar.