Kandidati për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj tha se “do t’ia marrin zemrën e ta bëjnë për vete edhe një herë presidentin e SHBA-së, Donald Trump”, pasi sipas tij Kosova vërtetë ka nevojë për Amerikën.
Haradinaj ka folur në tubimin elektoral përmbyllës në Pejë.
Haradinaj: Na takon me ia marrë zemrën me bë për vete edhe presidentin Trump edhe popullin e Amerikës
“Prej orës shtatë në mëngjes deri në orën shtatë në mbrëmje kur mbyllen vendvotimet ‘Po 137’ se duam të anëtarësohemi në NATO. Nuk duam të bëjmë eksperimente me sigurinë nacionale. E të bëjmë veprime prapa shpinës së aleatëve tanë e në interes të Rusisë e të satelitëve të tyre. Ne ia kemi marrë zemrën presidentëve të Amerikës, një nga një, ua kemi marrë zemrat udhëheqësve të të gjitha shteteve të NATO-s e popujve të tyre dhe na kanë përkrahur. Duam kësaj here, edhe një herë të kthehemi aty ku na takon me ia marrë zemrën me bë për vete edhe presidentin Trump edhe popullin e Amerikës dhe të gjithë udhëheqësit e shteteve që na kanë ndihmuar në ditë të vështira. Ne nuk jemi mosmirënjohës, jemi njerëz të besës. Ne nuk mashtrojmë miqtë. Ne vërtetë kemi nevojë për presidentin Trump, për Amerikën, për NATO-n”, tha Haradinaj.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se duhet votuar këtë Koalicionin për Kosovën Fituese, sepse sipas tij, respekton dhe mbron Kushtetutën e ligjet.
Ai u zotua për uljen e çmimit të energjisë, zhvillim të ekonomisë, mbështetjen të pacientëve, rritje të pagave e përfundimin e projekteve infrastrukturore.
Haradinaj: Ne sillemi në bazë të Kushtetutës e ligjeve e jo të ikim nga prokurori siç ka bërë kryeministri
“Po 137 sepse nuk duam më të na rritet çmimi i energjisë. Atë ditë që e marr punën e deri sa të rrijë në atë punë, s’ka me u rritë më çmimi i energjisë në Kosovë. Nuk duam të vazhdojmë të blejmë energji prej dostave të pushtetarëve e me ia shit qytetarit dy herë më shtrenjtë. Po nesër prej shtatë në mëngjes e deri në mbrëmje, sepse po duam ekonomi, duam biznese të suksesshme, investitorë dhe partneritet publiko privat. Po 137 sepse duam t’i përfundojmë rrugët edhe për Kuqishtë, edhe për Plavë, edhe rrugën e Tetovës, jo si këta që i premtojnë e kurrë nuk i bëjnë. Ne e duam dinjitetin e mjekut dhe të infermierit, në Pejë e çdo kund do t’i afrohemi pacientit, të sigurojmë çdo të drejtë të pacientëve. Në gjithë Kosovën sigurimet shëndetësore, dhe gjithsesi shteti do t’i merr në mbrojtje ata që nuk mund të paguajnë. Ne duam po ashtu edhe nderin e mësimdhënësit. Do ta kenë përkrahjen tonë. Po 137 sepse ne e respektojmë e mbrojmë dhe sillemi në bazë të Kushtetutës e ligjeve e jo të ikim nga prokurorit siç ka ndodhur së fundi nga kryeministri. Po 137 se e duam Kosovën Fituese”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj përmendi kryeministrin aktual Albin Kurti, i cili sipas tij, ka shpalosur “programin e mjerimit”.
Limaj: Ai (Kurti) vjen këtu premton dhe shpalos programin e mjerimit
“Ai që po shkon, këto ditë shkoi anë e kënd Kosovës, në të gjitha qytetet tona. Vëllezër dhe motra kudo që shkoi foli me gjuhën e urrejtjes, të shpifjes e të mashtrimit. Kudo që iu dha rasti shpifi, gjuajti helm tek vajzat, tek djemtë, tek njerëzit punëtorë. Ai nuk kurseu askënd. Ai erdhi edhe këtu në Pejë. Në vend që të jap përgjigje pse katër vite invalidët që dhanë pjesët e trupit për lirinë e Kosovës ia ke lënë rrugëve dhe një protezë nuk i ndërrove, ai vjen këtu premton e flet sikur me qenë një ‘Lenin i vogël’, e ku në Pejë. Ku vjen e na shpalos programin e mjerimit. Ai na fton në mjerim e në varfëri. Ai iu thotë ‘burra e gra të Kosovës krejt çka keni unë do t’i marr, mi sjellni mua. Edhe shtetin, edhe ligjin, edhe prokurorinë, edhe votat edhe popullin edhe fëmijët’. Ka gjetur vendin më të gabuar për t’i shpalosur idetë e tij leniniste, e ku në Pejë, merre me mend. Ne jemi ndryshe dhe nuk do ta ndotim më tutje gjuhën me ata që po shkojnë”, tha Limaj.
Zgjedhjet e përgjithshme mbahen nesër më 9 shkurt.