Sipas anketës së fundit të portalit të internetit “Llokallno.mk”, të realizuar nga data 25 deri më 29 janar 2025, banorët e Shkupit shprehin pakënaqësi të theksuar me punën e kryetares aktuale, Danella Arsovska.
Hulumtimi, i cili përfshiu 1150 të anketuar përmes anketës telefonike, tregoi se 77% e qytetarëve e vlerësojnë punën e saj si “të dobët” ose “shumë të dobët”, ndërsa 68% nuk kanë “fare besim” se ajo do të zgjidhë problemet kryesore të qytetit.
Sa i përket kandidatëve të mundshëm për kryetar komune, 18% e të anketuarve mbështesin ministrin aktual të Vetqeverisjes Lokale, Zllatko Perinskin, pasuar nga Koce Trajanovski me 16.5%, Orce Gjorgjievski me 14% dhe Petre Shilegov me 11.5%. Kandidatët e mbetur, si Visar Ganiu, Boban Stefkovski dhe Gjorgji Galetanovski, morën më pak mbështetje.
Sondazhi identifikoi gjithashtu problemet më urgjente me të cilat përballet Shkupi.
Ndotja e ajrit dhe transporti publik kryesojnë listën e prioriteteve që qytetarët presin të zgjidhen, ndërkohë që kaosi në trafik dhe niveli i higjienës publike shkaktojnë gjithashtu pakënaqësi të konsiderueshme.
Ky hulumtim tregon nevojën për masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së jetës në kryeqytet, si dhe ndryshime të mundshme në lidershipin lokal.