Sipas revizionit që është bërë në Ministrinë e Ekonomisë, në vitin 2021, është bërë furnizimi i një Softverit për menaxhim të aplikacioneve për nevojat e ministrisë në vlerë prej mbi 2 milion denarë, por asnjëherë nuk është vënë në funksion. Këtë e bëri të ditur Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, i cili shtoi se, ka indikacione për shkelje të procedurave.
“Shkelje janë bërë në procedurën e furnizimeve publike. Në vitin 2021, është bërë furnizimi i Softverit për menaxhim të aplikacioneve nga persona fizik dhe juridik për nevojat e ministrisë në vlerë prej 2 milion e 490 mije denarë, por i njëjti nuk është në funksion dhe nuk ka asnjë shpjegim ose raport se pse nuk është vënë në funksion ky Softver. Ka indikacione për shkelje të procedurave pasi i gjithë procesi është kryer në afat prej 15 ditëve kur dihet se bëhet fjalë për një Softver që kërkon kohë dhe profesionist. Revizioni konstaton se kjo paraqet rrezik dhe ka shkelje sepse për dy jave është kryer e gjithë procedura”, deklaroi Besar Durmishi – Ministër i Ekonomisë.
Sipas Durmishit, revizioni ka konstatuar shkelje edhe në shfrytëzimin e veturave zyrtare ku përfshihet edhe furnizimin me karburant. Ndërsa përveç këtyre shkeljeve, sipas Durmishit, parregullsi janë konstatuar edhe në angazhimin e personave me kontratë në vepër në këtë ministri.
“Po ashtu pas një procedure të veçantë administrative kemi informacione se buxheti i shtetit është dëmtuar për 127 milion denarë ose përafërsisht 2 milion euro, si rezultat i mos marrjes së masave nga ana e komisioneve të ministrisë në periudhën prej vitit 2019 e deri më 2023. Komisionet për kundërvajtje janë formuar në vitin 2022, por deri më 2024 nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim duke bërë që shumë lëndë të vjetërsohen dhe shteti të humbet këtë shumë”, tha Besar Durmishi – Ministër i Ekonomisë.
Sipas Durmishit ftoi organet kompetente të shqyrtojnë raportin e revizionit duke theksuar se të gjithë ata që kanë bërë shkelje duhet të japin llogari. /Alsat.mk