Memedali Jusufi
Mediat në vendet demokratike ushtrojnë funksionin e njohur si “watchdog”duke shërbyer si roje në mbrojtje të interesit publik. Përmes investigimeve të tyre ato nxjerrin në dritë dhe denoncojnë aktet korruptive dhe abuzimet e shume ne jeten publike nje theks i vecant abuzimi me fondet publike, veprimtaritë keqbërëse të njerëzve në pushtet apo të rrjeteve të krimit, aktivitetet e paligjshme dhe mjaft akte të tjera që cënojnë rendin publik dhe sigurinë, pronën dhe mirëqenien e qytetarëve. “Frika nga shtypi bën që të ndalen më shumë krime, korrupsion dhe imoralitet se sa frika nga ligji” – ka thënë gazetari dhe botuesi i famshëm amerikan Joseph Pulitzer. Gjithashtu njeriu është krijesë shoqërore dhe si i tillë, gjatë përditshmërisë së vet, ai përfshihet në marrëdhënie apo raporte shoqërore me të tjerët. Mediat përmes mesazheve të veta kontribuojnë në rritjen e shkallës së socializimit mes individëve, në pranimin e mendimit ndryshe, në kultivimin e frymës së tolerancës, në promovimin e punës në grup, etj. Njëherësh mediat nxisin përfshirjen e qytetarëve në kauza apo lëvizje të rëndësishme dhe angazhimin e tyre në çështjet që janë me interes publik. Mediat janë arma e fortë nëpërmjet tyre, ndikohet fuqishëm në mënyrën e jetës së njerëzve, në nxitjen apo shuarjen e konflikteve në vende të ndryshme të botës. Ata kanë ndikim edhe në luftë edhe në paqe, përdoren edhe për të shuar mosmarrëveshje reale edhe për të nxitur konflikte ireale. Këto pikëpamje nuk janë të panjohura nga masat e gjëra popullore, por ata gjithmonë bien në grackat mediatike. Sot zhvillimi i mediave të reja së bashku me benefitet e tyre mundësojnë ndërhyrjen edhe në vlerat më të larta njerëzore. Rrjedhat e sotshme globale, në aspektin social dhe shpirtëror janë duke krijuar kushte të favorshme për ndërhyrje në identitetin e njeriut. Padyshim mediat janë pjesë e një procesi të veçantë komunikimi që njihet me emrin “komunikim masiv”. Sipas Joseph R. Dominick, komunikimi masiv i referohet procesit përmes të cilit një entitet kompleks, me ndihmën e një ose më shumë pajisjeve prodhon dhe transmeton mesazhe publike që iu adresohen audiencave të gjera, heterogjene dhe të shpërndara. Mediat masive janë pikërisht kanalet e përdorura për komunikimin masiv. Si komunikimi masiv, edhe mediat masive, nuk janë terma apo koncepte që emërtojnë thjesht dhe vetëm teknologji të caktuara. Krahas teknologjisë, ato përfshijnë edhe institucionet që i përdorin këto teknologji për të transmetuar mesazhet, përfshijnë njerëzit, politikat, organizatat si dhe marrëveshjet dhe marrëdhëniet shoqërore që kërkohen për prodhimin dhe shpërndarjen e komunikimit masiv. Në një kuptim të gjerë, termi media masive, përfshin radion, televizionin, filmat, produktet e audios, librat, gazetat, revistat dhe internetin. Kurse në një kuptim më të ngushtë, me termin media, njerëzit dallojnë katër lloje kryesore të tyre: shtypin, radion, televizionin dhe median online. Tre të parat janë pjesë e atyre mediave që njihen me emrin media tradicionale, kurse media online është pjesë e mediave të reja. Në mesin e funksioneve që përmbushin mediat, informimi është padyshim funksioni më i rëndësishëm. Mediat janë krijuar para së gjithash që të sjellin pranë njerëzve të rejat rreth ngjarjeve dhe zhvillimeve në një komunitet, vend apo më gjerë. Duke qenë në rolin e lajmëtarit, ato kanë përgjegjësinë dhe detyrimin publik që të informojnë njerëzit me korrektësi, saktësi, objektivitet dhe paanshmëri. Funksionin e informimit mediat e luajnë kryesisht përmes edicioneve apo rubrikave të lajmeve, por, diku më shumë dhe diku më pak, edhe përmes rubrikave apo emisioneve të tjera. Lajmet informojnë audiencën për zhvillimet e momentit, në ndryshim nga gjinitë e tjera të mediave, tëcilat përmbajnë informacion që nuk ka urgjencën e lajmeve nga aktualiteti. Funksioni i mbikqyrjes dhe i kritikës.