Është shkarkuar drejtoresha e Klinikës “Kozle”, Karolina Simonovska. Pas kthimit nga SHBA ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari pritet të nënshkruaj shkarkimin e saj.
Ndryshe Kolegjiumi mjekësor i Klinikës për sëmundje respiratore “Kozle” kishte kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të u.d drejtoreshës Karolina Simonovska, pas rastit në të cilin e shkarkoi mjeken Veselinka Mitrovska-Josifova, specialiste ORL dhe bronkoskope.
Në letrën dërguar mediave, ata kishin kërkuar që institucionet kompetente, Ministria e Shëndetësisë dhe kryeministri t’i japin fund arbitraritetit të drejtoreshës Simonovska, e cila sipas tyre do t’i japë fund diskreditimit që ajo po i bën spitalit.
“Skandali i fundit që tronditi Klinikën, mjekët dhe pacientët është se doktoresha Veselinka Josifovska-Mitrovska është shkarkuar në mënyrë të paskrupullt nga puna. Në vendimin e largimit nga drejtuesit, ajo akuzohet se ka qenë fizikisht e pranishme në kabinetin e bronkoskopisë kur është intervenuar për të hequr trupin e huaj nga rrugët e frymëmarrjes së njërit prej pacientëve tanë, duke rrezikuar kështu jetën e tij”, thuhet në letrën e Kolegjit të Mjekëve në të cilat shprehin mbështetje për mjeken.
Nga ana tjetër, Katerina Boshkovska në një prononcim pranoi se do të jetë drejtoreshë e re e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve “Kozle. Boshkovska tha se lajmin e ka marrë gjatë ditës së djeshme, ndërkaq sot pritet të përfundojnë procedurat administrative në Arkivin e këtij institucioni.
“Ky funksion për mua është një sfidë e madhe, por shpresoj që unë jo vetëm, me ndihmën e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve se do të arrijmë të kthehemi në normalitet dhe ta ngrisim rejtingun për mbrojtje shëndetësore të pacientëve më të vegjël, sepse ne jemi spital për fëmijë dhe gjithmonë kemi qenë spital me renome, vetëm se kohëve të fundit disa punë dolën jashtë kontrollit, megjithatë duhet kohë, por kam besim në vetvete dhe në ekipin tim se do të jetë gjithçka në rregull”, tha Boshkovska.