Në kuadër të Qendrës për Punë Sociale në Dibër punon edhe kuzhina popullore, nga ku ushqehen mbi 40 familje dibrane, të cilët kanë probleme ekstreme sociale. Është një kuzhinë e cila ofron ushqim të freskët dhe të ngrohët në kontinuitet, kurse sipas institucionit në fjalë, viteve të fundit ka një rritje të theksuar të familjeve të cilët duan që të ushqehen në këtë kuzhinë.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Skënder Daci për gazetën Koha thotë se aktualisht – ushqim të freskët marrin 120 anëtarë të mbi 40 familjeve.
“Janë familje, të cilët kanë probleme sociale dhe të cilët i plotësojnë kushtet në përputhje me normat ligjore. Ne si institucion kemi marrë edhe kërkesa të reja nga familje tjera, dhe për ato kërkesa e kemi informuar edhe Ministrinë për Punë Sociale. Kuzhina popullore, e cila është e themeluar para shumë vitesh, ofron ushqim të ngrohtë dhe që i plotëson kushtet e përcaktuara”, thotë Daci dhe shton se kuzhinierët në mënyrë profesionale për çdo ditë përgatisin dhe shpërndajnë ushqimin.
Në Qendrën për Punë Sociale në Dibër potencojnë se ndarja e ushqimit bëhet në mënyrë të rregullt, dhe ka patur raste kur nëpër shtëpitë të shfrytëzuesve, në disa raste është shpërndarë edhe ushqim i paketuar, veçmas kur ishte prezente pandemia Kovid 19 ose kur ka ndonjë familjarë të sëmurë.
Gjatë marrjes së ushqimit në këtë kuzhinë, biseduam edhe me disa familjarë që ushqehen nga kuzhina. S.A. nga Dibra na thotë se është shfrytëzues i ushqimit me familjen e tij katër anëtarëshe.
“Jemi të kënaqur nga ushqimi. Ai ka kalori të mjaftueshme, por edhe përgatitja e ushqimit është në nivelin e duhur. Marrim gjellë të ngrohtë. Edhe fëmijët e pëlqejnë ushqimin”, thotë kryefamiljari S.A. i cili ka mbi 50 vjet.
Takuam edhe një nënë, e cila jeton me tre fëmijët e saj.
“Ushqimi është i mirë. Jemi familje e varfër dhe pa këtë ushqim – nuk mundemi të mbijetojmë. Ndodh shpesh të marrim ushqime edhe nga disa shoqata humanitare që veprojnë në Dibër. Normalisht, ato produkte janë shumë domethënëse meqë përgatisim ushqim plotësues. Nuk ka raste të hedhim ushqimin që e marrin nga kuzhina popullore”, thotë bashkëbiseduesja e jonë.
Në Dibër, disa vite funksiononte edhe një kuzhinë private humanitare, e cila ndante ushqim ditor për mbi 40 persona. Tani ajo kuzhinë nuk funksionon. Në bisedë me një person të shoqatës u informuam se është ndërprerë për shkak se janë ndalur donacionet.
Kur jemi tek përkrahja e familjeve me probleme ekstreme sociale, të potencojnë se ka shoqata humanitare të cilët me rastin e festave fetare muslimane ndajnë ushqime për familjet në nevojë. Po ashtu ka edhe shumë aktivitete personale dhe në grupe nga diaspora, të cilët ndajnë shumë ndihma për këtë kategori të familjeve./koha.mk/