Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nga nesër kthehen në bankat e shkollës dhe e nisin gjysmëvjetorin e dytë të këtij viti shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se gjysëmvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme fillon më 20 janar.
Sipas kalendarit të punës, viti mësimor në shkollat fillore dhe të mesme përfundon më 10 qershor, përveç maturantëve, për të cilët mësimi i rregullt përfundon më 16 maj 2025.
Në gjysmëvjetorin e dytë nxënësit nuk do ta kenë pushimin pranveror, ashtu siç ishte vitin e kaluar kur viti shkollor përfundoi më 17 qershor.
Me rastin e fillimit të gjysëmvjetorit të dytë të vitit shkollor, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve u uroi tejkalim të suksesshëm të sfidave të reja, duke theksuar se të gjithë duhet të kontribuojnë në ndërtimin e shkollave miqësore dhe të sigurta, në të cilat mbizotëron kultura e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.
MASH
“Këto janë parakushte të rëndësishme për përvetësimin e njohurive, aftësive dhe kompetencave cilësore, të cilat i formojnë të rinjtë si qytetarë të përgjegjshëm dhe udhëheqës të ardhshëm të një shoqërie gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të begatë”.
Numri i nxënësvë që nisi shkollën më 2 shtator ishte 245 mijë, mirëpo në këtë gjysmëvjetor ky numër është ulur, pasi një pjesë e nxënësve kanë migruar bashkë me familjet e tyre. Drejtorët e shkollave kanë thënë se numri i saktë i nxënësve që mungojnë do të dihet pasi të nisë gjysmëvjetori i dytë.
/SHENJA/