Nga VMRO-DPMNE kanë reaguar ndaj akuzave të kreut të LSDM-së, Venko Filipçe për pretendimet se Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë varfëruar popullin. Nga partia në pushtet kërkojnë nga Filipçe të tregojë se me çfarë e kanë detyruar kaq shumë Zaevi dhe Grubi, sa nuk dëshiron dhe nuk guxon të distancohet dhe të largohet prej Zaevit.
“Filipçe dhe LSDM janë peng të Grubit dhe nuk guxojnë t’i kërkojnë falje publikut për shkak se lejuan krimin milionësh nga Artan Grubi. Filipçe dhe LSDM e dinin dhe heshtnin ndërkohë që Grubi lirshëm vidhte paratë e popullit. Filipçe dhe LSDM janë bashkëpunëtorë në korrupsionin, krimin megaloman dhe varfërimin e popullit”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga partia në pushtet vlerësojnë se Filipçe dhe LSDM duhet t’i kërkojnë falje qytetarëve sepse, sipas tyre, janë bashkëpunëtorë në krimin epik të Grubit dhe BDI-së.
“Filipçe dhe LSDM prej një muaji e mbrojnë Grubin dhe po fundosen në llumin politik, ndërsa rejtingu i tyre po bie në mënyrë të lirë. Filipçe dhe LSDM lejuan Grubin të vidhte vetëm sepse prioriteti i tyre i vetëm ishte të qëndronin në pushtet”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti shtojnë se LSDM është e njëjta parti destruktive që shkatërroi shtetin dhe varfëroi popullin, si në kohën e Kovaçevskit, ashtu edhe gjatë periudhës së Zaevit.