Aty në koktej kemi biseduar për rrjedhat politike, për dallimet politike dhe kjo është, nuk ka diçka të jashtëzakonshme, tha Izet Mexhiti në lidhje me informacionet që ka pasur së fundmi takim me Musa Xhaferin, shkruan TV21. Mexhiti thotë se ka kontakt me të gjitha partitë politike dhe se për këtë takim me Xhaferin nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.
“Ka qenë pritje e Ambasadës së BE-së, ku janë të ftuar edhe kori diplomatik, edhe përfaqësues të partive politike, të ekzekutivit, deputetë dhe aty ka qenë edhe ambasadori i Shqipërisë, edhe i Kosovës, edhe shumë ambasadorë të tjerë. E kam thënë dhe e them, nuk kam hasmëri, komunikoj me të gjitha subjektet, komunikoj edhe me njerëz nga BDI, por kjo nuk është jashtë normales. Kjo aspak nuk nënkupton që kemi dallime politike, ato janë publike, mirë po komunikimi është normal. Mund të them nëse komunikojmë me VMRO-në, me LSDM-në, ZNAM-in, nuk kisha thënë me Levicën, por ndonjëherë edhe me ata takohemi në Kuvend. Kështu që besoj nuk është informatë e jashtëzakonshme nëse komunikojnë funksionarët shqiptarë, qoftë deputetë, ministra ndërmjet vete”, tha mes tjerash Mexhiti.
I pyetur për mundësinë për rikthim të tij në BDI pas largimit të Grubit, Mexhiti tha se ky kapitull është i mbyllur, ndërkaq shtoi se BDI-ja është në krizë të thellë dhe bëri apel që anëtarët e BDI-së të kalojnë në Lëvizjen Demokratike.
“Ky kapitull është i mbyllur. Ne që menduam ndryshe u përjashtuam nga BDI. Kishim dy opsione, ta lëmë krejt, apo ta vazhdojmë betejën. Ne vazhduam betejën, e fituam betejën. Ndërsa edhe njëherë i bëj apel anëtarësisë së sinqertë, atyre djemve dhe vajzave që kanë një karrierë një profesionalizëm administrativ, politik, që nuk e kanë shansin, ta braktisin këtë anije dhe t’i bashkëngjiten Lëvizjes Demokratike, t’i bashkëngjiten VLEN-it”, tha mes tjerash Mexhiti.
Kujtojmë që Musa Xhaferi ishte pjesë e grupit të pakënaqur në BDI, të ashtuquajturit Grup i Zjarrit, ku bënte pjesë edhe Izet Mexhiti, bashkë me Blerim Bexhetin e Nevzat Bejtën.