Grupi parlamentar i partisë “E Majta”, grup i cili dorëzoi interpelancën për kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Ilire Dauti, do të presë disa ditë që të prononcohet Fronti Evropian nga radhët e të cilëve është Dauti, dhe të shohë nëse ajo do të japë dorëheqje nga funksioni, ndërsa nëse kjo nuk ndodh, do të dorëzojnë propozim për shkarkimin e saj në Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.
“Ne mendojmë se është e drejtë që t’i japim disa ditë Dautit, duke pasur parasysh se Fronti Evropian paralajmëroi se deri të enjten do të dalë me kumtesë se çfarë do të bëjnë, nëse do ta zëvendësojnë atë apo diçka të ngjashme. Është korrekte t’i jepet pak ditë për të dhënë dorëheqjen në mënyrë të virtytshme, sepse nuk ka asnjë logjikë që ajo të vazhdojë të punojë si kryetare e Komisionit, kur shumica absolute e Kuvendit me 61 deputetë votoi pretendime që e akuzojnë se punon në mënyrë joprofesionale, të paligjshme dhe antikushtetuese, deklaroi për MIA-n deputeti Borisllav Kërmon nga “E Majta”.
Që ta propozojë sërish Fronti Evropian, Kërmov theksoi se ajo duhet të shkarkohet. Sipas tij, mendimet janë të ndara në Frontin Evropian për Dautin.
“Që të propozohet sërish ajo duhet të shkarkohet. Do të shohim se çfarë do të bëjnë, politikanë të caktuar bëjnë deklarata të caktuara, nëse e shihni deklaratën e liderit të njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, thotë se ajo 100 për qind do të mbetet dhe se ka mbështetje të plotë, dhe pastaj Ilire Dauti të dal me dy deklarata disi të paqarta që anojnë drejt dorëheqjes, gjë që është kontradiktore. Është e dukshme se ka mendime të ndara brenda grupit politik të Frontit Evropian, duke qenë se janë shumë subjekte politike. Le të vendosin ata se çfarë do të bëjnë, ndërsa sipas asaj ne do të veprojmë”, tha Kërmov.
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe deputet nga radhët e Frontit Evropian, Arbër Ademi në deklaratë për MIA-n thoë se Dauti gëzon mbështetje të plotë nga grupi parlamentar i Frontit Evropian, si dhe mbështetje të plotë politike.
“Deputetja Ilire Dauti gëzon mbështetjen e plotë të grupit parlamentar të Frontit Evropian, por edhe mbështetjen e plotë politike. Ajo që ndodhi në Kuvend në seancën plenare është diferencim ideologjik, duke përdorur mazhorizimin, metodë që i përket së kaluarës”, tha Ademi në deklaratën për MIA-n.
I pyetur nëse Fronti Evropian pritet të mbajë një takim për të vendosur nëse Dauti do të qëndrojë, do të largohet apo ndoshta do të propozohet sërish nga Fronti Evropian për kryetar të Komisionit, Ademi nuk saktësoi.
“Për mbështetjen e Ilire Dautit nuk ka nevojë të mbahet aspak takim, dihet se ajo gëzon mbështetje të plotë politike”, tha Ademi.
Ndryshe, interpelanca ndaj Ilire Dautit, deputete e Frontit Europian dhe kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini po shkakton debat edhe jashtë mureve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut edhe pas votimit të 10 janarit, ku me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, deputetët përkrahën interpelancën e partisë ‘E Majta’ për shkarkimin e saj nga detyra e kryetares së komisionit me të cilën udhëheqë.
Si erdhi deri te interpelanca ndaj deputetes Dauti?
Kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, deputetja Ilire Dauti u akuzua nga E Majta se ka bllokuar Ligjin për ‘Branitellat’.
Deputetja Ilire Dauti pati paralajmëruar se nuk do ta vendosë në rend dite Ligjin për ‘Branitellat’ nëse luftëtarët e UÇK-së nuk trajtohen në mënyrë të njëjtë.