Stagnon prodhimtaria e duhanit në vend. Të dhënat krahasuese tregojnë trende të uljes ndër vite në Maqedoninë e Veriut. Për korrjet e vitit 2024, pritet që deri në fund të muajit janar të grumbullohen 21 mijë tonë me një çmim mesatar prej 400 denarë. Është rritur edhe subvencioni për kategorinë e parë të duhanit, nga 80 denarë në 100 den, me çka fermerët do të fitojnë 500 denarë për kilogram duhan të dorëzuar tek tregtarët. Dy vite më parë sipas të dhënave të futura në sistemin elektronik të regjistrimit të duhanit ISET nga kompanitë blerëse nga korrja e vitit 2022, ishin blerë gjithsej 20.880 ton duhan gjethe të papërpunuara me çmim mesatar të blerjes prej 288.10 den/kg.
Në ndërkohë Lidhja e Shoqatave të Duhanit pret që grumbullimi të përfundojë brenda 10 deri në 15 ditë, megjithëse afati ligjor është fundi i muajit shkurt. Njëkohësisht kanë filluar negociatat për korrjen e re dhe po diskutohet për çmimet dhe respektimin e Ligjit për Duhanin. Prodhuesit e duhanit shprehen të kënaqur me çmimet dhe subvencionet.
“Blerja e duhanit do të përfundojë shumë më herët se afati ligjor, 28 shkurt. Me këtë ritëm, shpresojmë ta përfundojmë për 10 deri në 15 ditë. Sipas të dhënave të fundit, deri më tani janë blerë rreth 20 mijë tonë duhan me një çmim mesatar prej rreth 400 denarë. Pra, ka 700 deri në maksimum 1000 tonë në tokë. Ai duhan është në këtë rajon Prilep-Pellagoni, në Dollnen të Krushevës dhe në rajonin lindor tashmë është blerë mbi 90 për qind e prodhimit. Jemi të befasuar këndshëm nga rendimenti. Parashikimet tona ishin rreth 17 deri në 18,000 tonë. Por ishin zgjatur edhe kushtet për korrje në shtator dhe tetor “, thotë Kire Risteski, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Duhanit.
Tashmë kanë nisur negociatat me kompanitë për korrjen e re të prodhimit. Në parim po diskutohen kontratat e ardhshme dhe do të dalin edhe çmimet. Shqetësimi është për çmimet dhe respektimin e Ligjit për Duhanin, dhe sigurisht që nuk do të lejojmë që çmimi të jetë më i ulët se ai i këtij viti, apo duhet paguar cilësia thekson Risteski.
Prodhimi dhe tregtimi i duhanit dhe produkteve të duhanit zë 3.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto. Industria e duhanit merr pjesë me rreth 4 për qind në totalin e prodhimit industrial dhe me 4.1 për qind të punësimit në totalin e industrisë. Duhani zë rreth 80 për qind të sipërfaqes totale të kulturave industriale. Në produktet bujqësore më të rëndësishme të eksportuara nga Maqedonia, ai merr pjesë me rreth 18 për qind, dhe në BE-27 me 28.7 për qind të totalit të eksportit. Nga kultivimi i duhanit ekzistojnë me dhjetëra mijë familje dhe realizohet eksport prej mesatarisht mbi 100 milionë euro në vit. Në periudhën 2009-2018 në vend prodhohet në mesatare afër 24 mijë tonë duhan në vit, përderisa maksimumi ka qenë në vitin 2018 me 28 mijë e 400 tonë.
Duke filluar nga viti 2013, sasia e tokës së punueshme tokë në hektarë si dhe numri i kontratave të nënshkruara me blerësit e duhanit është në rënie . Arsyet për këtë ndryshim përfshijnë migrimin më të gjerë nga fshat më qytet dhe braktisja e prodhimit të duhanit sepse është jashtëzakonisht punë intensive. Brezat e rinj nuk janë veçanërisht të interesuar për rritjen e duhanit dhe riorientohet drejt veprimtarive të tjera profesionale. Në vitin 2019, prodhues të duhanit 25-34 vjeç vjet përbënin vetëm 9.8 për qind të totalit, ndërsa prodhuesit e duhanit të moshës 45-64 vjeç, ishin 54 për qind.
Për më tepër, prodhuesit e duhanit kanë një mesatare mujore të ardhura prej 416 euro krahasuar me mesataren mujore neto paga në Maqedoninë e Veriut prej 463 euro, në prill 2021. Gjithashtu një familje me katër anëtarë ka nevojë mesatarisht për 552 euro për të mbuluar shpenzimet bazë mujore (vlera të shportës minimale të konsumit për familjet në muajin prill 2021).
Kështu një amvisëri duhani ka 136 euro më pak se ajo që i nevojitet për të mbijetuar çdo muaj, që është më shumë se deficiti mesatar mujor i familjes, tregojnë analizat e OJQ “Analitika”. Në BE, kultivimi i duhanit ka qenë vazhdimisht në rënie që nga viti 1991, kur nga afërsisht 400.000 ton në tetë vende prodhuese të duhanit të BE-së, prodhimi ra në 140.000 ton në vitin 2018, duke përfshirë kur katër vende të reja të BE-së iu bashkuan vendeve prodhuese. Që nga viti 1993, BE ka aplikuar një sistem për kufizimin e prodhimit të duhanit (i ashtuquajturi sistem kuotash sipas vendit, sasisë dhe llojit), dhe që nga 1 janari 2010, BE-ja nuk ka dhënë subvencione specifike për prodhimin e duhanit të papërpunuar. (koha.mk)