“As deputetët e BDI-së nuk besojnë më në politikat e udhëheqjes së partisë. Askush nuk u beson më fjalëve boshe të Ali Ahmetit, Bujar Osmanit dhe Blerim Bexhetit.
Votimi i djeshëm për interpelancën kundër Ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhitit, është një dëshmi e qartë se BDI-ja nuk ka më kontroll as mbi grupin e saj parlamentar. Vetëm tre deputetë arritën të votojnë “pro” interpelancës, gjë që tregon një mosfunksionim serioz të BDI-së, një përçarje të thellë dhe një shpërbërje të shpejtë politike të kësaj partie.
Mesazhet e BDI-së nuk arrijnë te askush në komunitetin ndërkombëtar, partia është e izoluar. Sot, ato nuk arrijnë as te grupi i saj parlamentar.
Me këtë votim, zv.kryeministri Izet Mexhiti fiton legjitimitet shtesë dhe një konfirmim të mëtejshëm për luftën e tij kundër udhëheqjes së korruptuar të BDI-së, që fatkeqësisht drejtohet nga Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Artan Grubi dhe Blerim Bexheti. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se edhe anëtarët e BDI-së dhe deputetët, sikurse edhe qytetarët shqiptar në Maqedoninë e Veriut, nuk e mbështesin këtë grup që ka uzurpuar pushtetin, famën e dikurshme të BDI-së dhe kujtimet e së kaluarës.
Izolimi i tyre është i dukshëm. BDI-ja është përjashtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë mbështetje apo bashkëpunim me subjektet tjera normale pro-perëndimore në Maqedoni. Deputetët e BDI-së e shohin këtë dhe kanë një detyrë ndaj votuesve të ndershëm: të kundërshtojnë gjithnjë e më zëshëm si dhe më shpesh politikat e dëmshme të udhëheqjes së tyre.
Herën tjetër kur Blerim Bexheti do të përpiqet të krijoj një politikë, le të kujtohet për ditën e djeshme. Nuk ka humbës më të madh se ai dhe nisma e tij. Ashtu si në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur as votat e ashtuquajturit “Fronti Evropian” nuk i mjaftuan dhe ai humbi përballë VLEN-it. Për sa kohë ai vepron si mbrojtës i Artan Grubit, nuk do të ketë rezultate të ndryshme as te qytetarët, as te bashkëpartiakët e tij. Ai do të vazhdojë të jetë vetëm një nga humbësit.
VLEN bën thirrje tek të gjithë faktorët shoqërorë, por edhe për të gjithë anëtarët e BDI-së, që të mbështesin luftën për demokraci, transparencë dhe përgjegjësi, me qëllim që të ndalohen politikat e mëtejshme të dëmshme të kësaj udhëheqjeje të diskredituar. E vetmja rrugë për të dalë nga ky korrupsion i thellë politik është margjinalizimi i plotë i kësaj udhëheqjeje të BDI-së”, thuhet në komunikatën e VLEN.