Partia opozitare LSDM i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmerren masa të menjëhershme kundër ndotjes së ajrit. Përmes një reagimi me shkrim, nga kjo parti kanë thënë se, Qeveria duhet menjëherë t’i ndryshojë politikat e saja të gabuara, siç i kanë cilësuar ato dhe të ndërmarrë hapa seriozë për përballje me ndotjen. Sipas tyre, prolongimi i mëtejmë i zgjidhjes së këtij problemi nënkupton rrezik më të lartë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
LSDM
“Ndotja e ajrit është një problem serioz që prek shëndetin e njerëzve dhe në vend që të lërë qytetarët të përballen të vetëm me këtë, qeveria duhet urgjentisht të ndërmarrë veprime serioze institucionale për uljen e ndotjes. Kur ishte në opozitë, DPMNE paralajmëroi mbi 1 miliard euro për investime në ajër të pastër dhe ulje të ndotjes me 50%. Tani DPMNE-ja si qeveri nuk po merr asnjë veprim. Kanë kaluar 7 muaj, nuk ka asnjë masë kundër ndotjes”.
LSDM thotë se qeveria uli me 51% paratë për luftën kundër ndotjes së ajrit dhe në buxhetin e 2025-ës nuk përfshihen as programet mjedisore që zbatohen me sukses prej vitesh.
Ndërkaq nga VMRO – DPMNE, kanë akuzuar se ndotja është pasojë e keq qeverisjes së qeverisë së kaluar, pjesë e së cilës ka qenë LSDM.
VMRO – DPMNE
“VMRO-DPMNE si qeveri përgjegjëse dhe me qasje të ndershme ndaj qytetarëve nuk premton se do ta pastrojë ajrin menjëherë me shkop magjik, prandaj angazhohet për një strategji afatgjate dhe sistematike që realisht do të ulë ndotjen. Për këtë qëllim është i nevojshëm ndryshimi i mënyrës së ngrohjes së banesave, që nënkupton më shumë shfrytëzimin e lëndëve djegëse ekologjike, duke përfshirë edhe ngrohjen qendrore, dhe për këtë arsye është e nevojshme të ndërtohen termocentrale me gaz”.
Nga VMRO theksojnë se Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE është duke punuar intensivisht në ndërtimin e termocentraleve të tilla të gazit dhe tashmë ka një investitor të interesuar.
Teuta Buçi /SHENJA/