Zv.kryeministri Arben Fetai dhe zv.ministri i Sedat Sulejmani, kanë pritur sot në ambientet e Qeverisë punonjësit dhe artistët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe të cilëve ditë më parë u është rregulluar statusi i punësimit.
“Sot, së bashku me zëvendësministrin e Kulturës dhe Turizmit, z. Sedat Sulejmani, mirëpritëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut punonjësit dhe artistët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe për të kremtuar zgjidhjen e statusit të tyre të punësimit. Ky është një moment i rëndësishëm, i cili jo vetëm që përmirëson një padrejtësi të madhe, por edhe shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe forcimin e këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës shqiptare.
Gjatë këtij takimi, diskutuam për rëndësinë e mbështetjes së artistëve dhe zhvillimit të kulturës sonë. Kultura është pasuri kombëtare, dhe angazhimi ynë është i palëkundur: të forcojmë Ansamblin duke ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe duke krijuar hapësira për energji të reja dhe ide inovative. Falënderoj të gjithë artistët dhe punonjësit që me talentin dhe përkushtimin e tyre mbajnë gjallë traditën tonë. Le të punojmë së bashku për një të ardhme ku kultura jonë do të ketë një rol qendror në identitetin kombëtar dhe do të frymëzojë brezat që do të vijnë!”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Arben Fetai.
Kujtojmë që mbi 30 artistë të Ansamblit për disa muaj kishin mbetur pa punë për shkak se nuk u janë vazhduar kontratat e punës. Ata ishin lënë në mëshirë të fatit nga menaxhmenti i kaluar, duke i premtuar se pas zgjedhjeve do të merrnin vendimet e përhershme të punës.