Gjykata e Korçës ka urdhëruar lirimin nga qelia e shtetasit Valter Xhelillarin, i cili hyri me forcë brenda ambienteve të një banke të nivelit të dytë në qytet.
Ndaj 38 vjeçarit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ai u arrestua nga policia dy ditë pasi hyri në gjendje të dehur në bankën e nivelit të dytë. Pas vendosjen në pranga nga uniformat blu, ai deklaroi se nuk mbante mend asgjë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 21 Dhjetorit në lagjen nr.3 të qytetit të Korçës. Rreth orës 22:05, 38-vjeçari ka hyrë me forcë në ambientet e një bankës, ku ka qëndruar për disa sekonda dhe është larguar menjëherë sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, pa marrë asgjë.
“Pas identifikimit të autorit të dyshuar, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Policisë lokalizuan në lagjen nr.6 në Korçë dhe vunë në pranga shtetasin V. Xh., 38 vjeç, banues në Korçë.
Më datë 21.12.2024, rreth orës 22:05, 38-vjeçari ka hyrë me forcë në ambientet e një banke të nivelit të dytë, ku ka qëndruar për disa sekonda dhe është larguar menjëherë sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, pa marrë asgjë”, njoftoi policia të hënën (23 Dhjetor).