Nga hetimet lidhur me shpërthimin e ndodhur disa ditë më parë në Tiranë, në katin e 9-të të një pallati në rrugën “Sadik Petrela”, policia ka vërtetuar se lënda plasëse është hedhur me dron, i cili gjithashtu ka shpërthyer.
Gazetari Igli Çelmeta, raporton se autorët ende nuk janë identifikuar, por uniformat blu po bëjnë ekspertizën e mbetjeve të dronit për të rënë në gjurmët e personave që kanë lëshuar dronin.
Në dëshminë para hetuesve, pronari i banesës ka pohuar se apartamentin ia kishte dhën më qira një çifti, ndërsa ai vetë nuk kishte asnjë konflikt. Ndërsa për shtetasen me iniciale E.A. që kishte marrë apartamentin me qira që në fund të korrikut të këtij viti ende nuk është marrë në pyetje, pasi policia nuk ka mundur ta gjejë.
Ngjarja ndodhi më datë 21 dhjetor, disa minuta para mesnatës, teksa në banesë nuk ndodhej askush. Për shkak të shpërthimit janë regjistruar vetëm dëme materiale, si dëmtimi i xhamit dhe vetratën e ballkonit.
Sakaq, vijojnë hetimet lidhur me ngjarjen për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
NJOFTIM
Informacion paraprak
Rreth orës 23:45, të datës 21.12.2024, është njoftuar Salla Operative se në banesën që jetonte shtetasja E.A, në rrugën “Sadik Petrela” në katin e 9-të, është dëgjuar një zhurmë si shpërthim.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë ku kanë hapur me forcë derën pasi nuk kishte njëri në banesë dhe kanë konstatuar në ballkonin e kësaj banese, të dëmtuar xhamin dhe vetratën e ballkonit, që dyshohet se janë dëmtuar nga lëndë plasëse.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ëve.