Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i ka thënë gjykatës penale se për tre nga katër të akuzuarit në rastin “Organizatorët e 27 prillit” duhet të vlejë amnistia. Rasti ka të bëjë me sulmin në Kuvend më 27 prill 2017, ngjarje e njohur në publik edhe si “e enjtja e përgjakshme”. Sulmi kishte për qëllim të pengonte zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar të Kuvendit, gjatë të cilit u lënduan deputetë dhe gazetarë. Të akuzuarit në rastin “Organizatorët e 27 prillit” për veprën “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë” janë ish-kryetari i Kuvendit nga VMRO-DPMNE, Trajko Beljanovski, bashkëpartiakët e tij dhe ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish-drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski.
PROKURORIA
“Me respektimin e dispozitave ligjore dhe duke marrë parasysh kufizimet në zbatimin e ligjit, prokuroria ka argumentuar në mënyrë të detajuar arsyet për mendimin e saj, duke konstatuar se për tre nga të akuzuarit dispozitat ligjore kërkojnë amnisti, ndërsa për një të akuzuar nuk mund të aplikohet ky instrument ligjor, sepse për të vlejnë përjashtimet nga amnistia”.
Në njoftimin e dërguar mediave, Prokuroria nuk specifikon se për cilët mendohet se duhet të zbatohet amnistia. Nga Prokuroria informuan se mendimi është nxjerrë në bazë të qëndrimit të formuar nga kolegiumi profesional i Prokurorisë shtetërore në përbërje të zgjeruar. Për rastin “Organizatorët e 27 prillit”, për sot, më 24 dhjetor, ishte planifikuar një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore, por ajo u shty për 23 janar pikërisht për shkak të mendimit të dërguar nga Prokuroria, pasi të akuzuarit kishin paraqitur më parë kërkesë për t’u amnistuar. Katër të pakuzuarit u dënuan në shkallën e parë në këtë rast dhe ata janë: Veljanovski me gjashtë e gjysmë vjet burg, Janakievski dhe Ristovski me nga gjashtë vjet e tre muaj, dhe Atanasovski me gjashtë vjet. Ky vendim u mor më korrik 2021, por në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e anulloi dhe e ktheu rastin për rigjykim. Si pjesë e organizatorëve, në hetim u përfshinë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-agjenti Nikolla Boshkovski, por pasi ata nuk ishin në dispozicion për organet e ndjekjes, kundër tyre nuk u ngrit aktakuzë së bashku me të tjerët. Përveç “Organizatorëve të 27 prillit”, për sulmin në Kuvend u ngrit edhe një rast tjetër, ku të akuzuarit u ndoqën për “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”. Në këtë rast fillimisht ishin të akuzuar 33 persona, nga të cilët, para votimit në Kuvend për Marrëveshjen e Prespës, me Ligjin për Amnisti u falën 15 persona, përfshirë pesë deputetë nga koalicioni i VMRO-DPMNE. Për 16 persona që u dënuan, gjykata mori një vendim me gjithsej 188 vjet burg. /SHENJA/