Kemi qenë pranë maqedonasve në situata të ndryshme dhe do të qëndrojmë, por nuk pranojmë që ata të jenë agallarë, e ne të jemi shërbëtorë. Derisa nuk kemi një veting të vërtetë, derisa kemi gjyqësor selektiv që nuk kryen funksion sipas ligjeve, por i shikon gjërat se nga çfarë etnie vjen, ju dërgoj një mesazh pa marrë parsysh spastrimit politik dhe stuhitë që i bëjnë, se BDI është uragan, deklaroi lideri i Bashkimit Demokratik për Integrimin (BDI), Ali Ahmeti, në pritjen e sontme tradicionale për festat e fundvitit.
Kryetari i integristëve i ka ftuar edhe votuesit e VLEN që t’i ndihmojnë përfaqësuesit dhe drejtuesit e koalicionit shqiptar në Qeveri që të kthehen në rrugën e dinjitetit.
“Njerëzit tanë, vëllezërit tanë të bashkuar rreth VLEN-it të reflektojnë dhe ta mbrojnë kauzën kombëtare (Marrëveshjen e Ohrit), sepse është kauzë në respektim të gjeneratave të vjetra dhe që lindin pas nesh. Dhe jo, pavarësisht se i kam kundërshtar politik, nuk dua t’i shoh të turpëruar ata (VLEN) dhe ata që i kanë votuar. Dua të bëj thirrje si një njeri që ka luftuar dhe që e do krenarinë e kombit të vet. Të gjithë ata votues, le t’i ndihmojnë, le t’i inkurajojnë drejtuesit dhe përfaqësuesit e VLEN-it që të kthehen në rrugën e dinjitetit dhe të mbrojmë të gjithë bashkë krenarinë, sepse Marrëveshja e Ohrit nuk është marrëveshje që duhet ta mbrojë vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim, vetëm Fronti për Europë, por është vlerë që duhet mbrojtur nga të gjithë edhe nga VMRO-DPMNE edhe nga LSDM bashkë me koalicionin e tyre, aq më shumë nga ata që janë bashkuar rreth VLEN-it.