Kryeministri Hristian Mickoski njoftoi se javën e ardhshme do të shpallet një konkurs për 600 vende të reja pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ky hap, siç theksoi ai, është rezultat i pensionimit të disa të punësuarve, por edhe i nevojës për forcimin e kapacitetit të burimeve njerëzore.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ka pasur shumë pak kujdes për kapacitetin cilësor të burimeve njerëzore brenda MPB-së. Këtë e kemi vërejtur pas një periudhe prej gati gjashtë muajsh të analizave dhe hulumtimeve. Konkluduam se në vitet e kaluara është bërë, do të thosha, një krim epik. Për ta ndëshkuar atë dhe për të dalë para drejtësisë, nevojitet një kapacitet i mjaftueshëm njerëzor. Gjatë kësaj periudhe në MPB janë planifikuar 600 vende pune”.
I pyetur për grevat e paralajmëruara në ministritë e Ekonomisë dhe Politikës Sociale për shkak të pagave të ulëta, kryeministri theksoi se pagat në disa ministri janë vërtet të ulëta. Ai kërkoi pak durim dhe theksoi se problemet do të zgjidhen një nga një.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Duhet të punohet për këtë. Problemet do të zgjidhen një nga një. Sipas marrëveshjes kolektive të përgjithshme, këtë vit do të ketë rritje pagash dhe do të ketë edhe vitin tjetër. Pritshmëritë janë që, në varësi të mjeteve të disponueshme, pagat e punonjësve të rriten”.
Ai sqaroi se qeveria ka marrë tashmë një vendim që të mos rriten pagat e personave të zgjedhur dhe të emëruar, gjykatësve, prokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, me qëllim që të nivelizohen koeficientët. /SHENJA/