Koalicioni VLEN akuzon liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin dhe disa funskionarë të tjerë se kanë dalur në mbrojtje të Artan Grubit, e që në këtë mënyrë sipas tyre, e mbrojë krimin dhe korrupsionin.
Bashkim Hasani nga VLEN thotë se BDI është shndërruar në parti e cila funksionoin me kod mafioz, ku siç tha, çdo anëtar i “familjes” mbrohet me çdo çmim.
BASHKIM HASANI, VLEN
“Dje pamë një spektakël të turpshëm ku të gjithë eksponentët e BDI-së, nga Ali Ahmeti deri te çirakët e tij, dolën për të mbrojtur Artan Grubin. Madje guxuan të kundërshtojnë edhe vetë Departamentin Amerikan të Shtetit, duke thënë se Grubi është ‘i pastër si loti’. Por, të gjithë e dimë se sa “i pastër” është ai! Dëshmitë janë të qarta: nga ndikimi për lirimin e Sasho Mijallkovit, te futja e bixhozit në çdo shtëpi shqiptare, e deri te përpjekja skandaloze për të kthyer Nikolla Gruevskin nga Budapesti – gjithçka është orkestruar nën komandën e Ali Ahmetit”.
Pas gjithë kësaj sitaute, Hasani thotë se ish partia e tij BDI, duhet të reformohet, ndërsa shton se VLEN do të qëndrojë gjithmonë për shqiptarët dhe do të luftojë për ta çliruar politikën, siç thotë, nga korrupsioni dhe mashtrimet.
BASHKIM HASANI, VLEN
“Ne si koalicioni VLEN kemi kohë që paralajmërojmë: BDI është e kapur nga struktura kriminale, me Ali Ahmetin në krye dhe hijen e tij, Artan Grubin, që zbaton urdhrat e tij. Pyetja që shtrojmë sot është e qartë: Edhe sa mesazhe të tjera duhet të japë SHBA-ja që kjo parti të kuptojë se ka nevojë urgjente për reforma të thella programore dhe kadrovike? Anëtarët e ndershëm të BDI-së duhet të ngrihen, të vendosin tenda në Reçicë të Vogël dhe të kërkojnë çlirimin e partisë nga hijet dhe bedelët e korruptuar! Vetëm kështu mund të shpëtohet ajo që ka mbetur nga kjo parti”.
Hasani deklaroi se “Frontit Evropian”, i ka “dalë ngjyra” dhe është demaskuar deri në palcë, ndërsa potencoi se ata duhet të quhen me emrin që meritojnë, “Po për Rusinë dhe Jo për Amerikën”.
Samir Mustafa /SHENJA/