Aktori i njohur Laert Vasili, ka folur për çështjet e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se ajo ka mbetur “jetime”.
I ftuar në studion e News 24, Vasili e krahasoi çështjen e drejtësisë në vendin tonë si nëj inskenim filmi, ku marrin pjesë aktorë, regjisorë dhe autori.
Sipas tij, ende nuk dihet se kush luan kë rol, ndaj dhe e cilëson “jetim”.
Laert Vasili: Hiqeni këtë fjalë aktor. Mos e përdorni më, sepse po përdorët fjalën aktor ka nga pas një regjisor. Detyrimisht aktori do zbatojë atë që i ka thënë regjisori, të vendosur nga ajo që ka shkruar autori. Pra, nëse në politikën shqiptare nuk gjejmë dot se kush është autori dhe të njohim regjisorin, ne të gjithë që vijmë rrotull nëpër studio, aktorët, do të ngelemi jetim. Siç ka ngelur dhe drejtësia. Nuk është e rastësishme që u bë SPAK-u për të marrë disa vendime të cilat institucionet e tjera, fatmirësisht, fatkeqësisht, si të doni quajeni, dështuan. Kanë dështuar se këtu e 30 vjet në këtë demokraci që jetojmë ne, liri e demokraci kot, ke 2 ish-presidentë. Njëri me kokëfortësi vazhdoi, tjetri pranoi ligjin dhe është atje ku është, tjetri ka dalë sërish. E kupton që gjithsecili bën me kokën e vet?
Pyetje: Kush janë aktori, regjisori e autori?
Laert Vasili: Këto janë lëndë të panjohura, x, z, y. Kur del dikush dhe bën një deklaratë dhe thotë dikush është shpallur non grata e thotë jo nuk e zbatoj se kam kokën time, se ti me ata të tuat, po unë me të miat e ti me të tuat… Shqipëria është shumë e vogël, është gjynah i madh.
Sakaq, Vasili u shpreh se Bashkimi Evropian ndihet i lodhur me Shqipërinë, e shpreson mos të ndodhë e njëjta gjë me SHBA-të ndaj vendit tonë, pasi sipas tij trajtohemi prej tyre si “ parfumet e shtrenjta që janë në shishe të vogla.”
Laert Vasili: Është lodhur Evropa me ne. Do Zoti nuk lodhen Shtetet e Bashkuara, se akoma po na trajtojnë si ato parfumet e shtrenjta që janë në shishe të vogla.
Pyetje: Pse vallë?
Laert Vasili: Se jemi pikë strategjike, dihet ai muhabet. Jemi që nga koha e Enver Hoxhës. Pirateria që kemi pasur ne në gen, kur dërgoi dy ambasadorët Roma te Teuta dhe i tha stop, se po na prishni punë, e mori njërin e vrau tjetrin e çoi të gjymtuar që të çonte lajm. Kjo është një situatë komiko-tragjike, jo absurde. Ky është zhanri shqiptar.