SEFER TAHIRI
Sistemi politik i Maqedonisë së Veriut nuk i ka të panjohura zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Madje, mund të thuhet se ato e kanë ndjekur historinë më të re pluraliste të vendit pas vitit 2006, deri në të cilin vit zgjedhjet organizoheshin në mënyrë të rregullt ciklike, përkatësisht në çdo katër vite.
Por, të shohim, si raportuan mediat mbi idenë e kryeministrit Mickoski për zgjedhje të përbashkëta lokale dhe parlamentare në vitin 2025? A iu qasën në mënyrë kritike zmbrapsjes tepër ekspres të kryeministrit nga kjo ide? A u vërejtën ngjashmëritë diskursive politike të kryeministrit aktual me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski? Pse kaloi në heshtje kërkesa e kryeministrit drejtuar mediave që të mos i kushtojnë rëndësi qëndrimeve të BDI-së?
Historia përsëritet – sinkronizim i shumë mediave me politikën rreth zgjedhjeve të parakohshme
Nga viti 2006, kur në pushtet erdhi VMRO-DPMNE-ja, të gjitha zgjedhjet parlamentare janë organizuar si të parakohshme, edhe atë në vitin 2008, 2011, 2014 dhe 2016. Zgjedhjet e vitit 2016 u shpallën nën presionin e opinionit kritik publik dhe një pjese të mediave, pasi që lideri opozitar Zoran Zaev publikoi “bombat” me bisedat e përgjuara nga pushteti. Zgjedhjet paraprake të parakohshme u shpallën nën ndikimin e madh të një pjese të mediave tradicionale, sidomos televizioneve komerciale dhe “shërbimit publik”, por edhe mediave onlajn që ishin në shërbim të agjendës politike të VMRO-DPMNE-së.
Mediat komerciale (sidomos televizive) dhe pushteti i VMRO-DPMNE-së gjatë periudhës 2006-2016 kanë qenë në aleancë të ngushtë, ndërsa rezultat i ndikimit të përhershëm politik ndaj politikës editoriale të mediave ka qenë justifikimi i vendimeve të ish-kreut të kësaj partie, Nikolla Gruevski që të organizohen zgjedhje të parakohshme, me qëllim që pushteti dhe partia e tij të forcohej edhe më shumë.
“Mediat në Maqedoni janë vetëm një dorë e zgjatur e politikës, e tregu mediatik është një zgjatim i tregut politik. Kjo u pa edhe me publikimin e “bombave” nga ana a opozitës ku shihet qartë së politika dirigjon dhe porosit kronikat e ndryshme”, thuhet në analizën me titull “Pronësia mediatike në Maqedoni dhe ndikimi i saj mbi objektivitetin e informacionit” – një prej të shumtave që dëshmon për këtë lidhshmëri.
BIRN në publikimin e hulumtimit mbi pronësinë e mediave të realizuar në vitin 2023, bëri të ditur se stacionet televizive më të fuqishme kontrollohen nga familje të personave që dolën fitues nga tranzicioni ekonomik në vitet 1990.
“Përveç medias, ata janë të përfshirë edhe në biznese të tjera fitimprurëse si ndërtimi, tregtia me derivate, hoteleria dhe eksploatimi i resurseve natyrore përmes koncesioneve. Themeluesit e këtyre televizioneve prej kohësh janë përfshirë drejtpërdrejt në politikë si deputetë, ministra apo drejtues partish”, publikoi BIRN.
Pakti apo lidhshmëria midis politikës dhe një pjese të mediave ka funksionuar për çështje të ndjeshme politike që tangojnë shtetin, ndërsa, aktualisht, siç shihet edhe në raportimin mbi idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky binom politiko-mediatik funksionon edhe më tej në mënyrë efikase.
Ideja për zgjedhje të parakohshme, shumë media në vijë me kryeministrin
Agjendën politike të partisë më të madhe në pushtet, një pjesë e madhe e mediave e kanë ndjekur edhe lidhur me idenë e kryeministrit Hristijan Mickoski për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe, më pas, heqjen dorë nga kjo ide.
Për shembull, Televizioni Alfa më 31 tetor 2024 raportoi me titullin “Mickoski e hodhi dorëzën”: Nëse dëshironi zgjedhje dhe jeni të fuqishëm, ejani në zgjedhe“.
“Duke i replikuar kryetarit të ri të LSDМ-së, Venko Filipçe, i cili në seancën kuvendare për pyetje të deputetëve u paraqit në mënyrë teatrale dhe me akuza të paargumentuara, kryeministri Hristijan Mickoski ia hodhi dorëzën dhe i propozoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, së bashku me lokalet”, raportoi TV Alfa.
Siç shihet në këtë raportim, ka përzierje të lajmit dhe komentit, përkatësisht të fakteve me pikëpamjen e gazetarit dhe politikës editoriale. Përveç kësaj, për ilustrim të kronikës në faqen e internetit është përdorur imazh me rejtingun e liderit Mickoski me 27.8 % mbështetje në anketa dhe i liderit opozitar Venko Filipçe prej 5.5 %.
Me të njëjtin titull si të këtij televizioni raportuan edhe portali Kurir dhe portali Netpres, të njohur për politikë editoriale apologjetike ndaj partisë në pushtet.
Në të kaluarën, me fjalor të njëjtë ndaj opozitës drejtohej edhe ish-kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili kur përballej me kritika nga LSDM-ja opozitare, siç shihet nga faqja për grumbullimin e lajmeve Daily.mk, i bënte thirrje në stilin “Hajde të shkojmë në zgjedhje” (20 shkurt 2011).
Portalet kritike e krahasojnë Mickoskin me Gruevskin
Portali Frontline bëri paralele mes idesë së Mickoskit me pararendësin e tij Gruevski, ndërsa titulli i shkrimit ishte: “Mickoski si Gruevski dëshiron zgjedhje në vend të zgjidhjes së perspektivës evropiane të shtetit.” Konotacioni i titullit të këtij portali është se, njësoj si Gruevski që i shmangej zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë për integrim në NATO, edhe Mickoski u shmanget ndryshimeve kushtetuese, si kusht për integrim në BE.
Megjithatë, për dallim nga Gruevski, i cili nuk zmbrapsej nga zgjedhjet e parakohshme, kryeministri Mickoski hoqi dorë nga ideja. Këtë e bëri të ditur përmes zëdhënëses së Qeverisë, Marija Miteva e cila deklaroi se “Si qeveri mbetemi në qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme janë shpenzim plotësues”.
Deklarata e Mitevës erdhi pasi kreu i opozitës maqedonase, Venko Filipçe pranoi propozimin për zgjedhje të parakohshme, pasi që, sipas tij “Shumica e qytetarëve nuk janë të kënaqur nga puna e qeverisë.”
Heqja dorë e Mickoskit u bë edhe për shkak të refuzimit të zgjedhjeve nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i cili u shpreh se “Zgjedhjet janë të panevojshme” dhe se “Qeveria ka shumicë prej dy të tretave”.
Pas këtyre deklaratave, kryeministri Mickoski ndryshoi qëndrimin, ndërsa mediat raportuan me titullin “Mickoski: Qytetarët nuk duan zgjedhje të parakohshme, zgjedhjet lokale do të jenë test për besimin“.
Analizë e mangët mediatike mbi moskonsekuencën e kryeministrit
Në përgjithësi, mediat u morën shumë pak me ndryshimin rrënjësor të qëndrimit të Mickoskit rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Një pjesë e mediave, siç është Televizioni Sitell, duke tentuar ta arsyetojë qasjen e kryeministrit raportoi me titullin: “Zgjedhjet e parakohshme- temë e mbyllur“.
Nga ana tjetër, portali Racin publikoi shkrimin me titull “Mickoski gënjente ose u frikësua: E tërhoqi sfidën për zgjedhje të parakohshme“.
“…Mund të interpretohet edhe si impuls, ose nxitim, bile edhe si truk i lirë çapkën, por edhe kjo është po aq joserioze si gënjeshtra që fshihej në thirrjen për zgjedhje të parakohshme. Nga ana e tretë mund të interpretohet si spinim “i trashë” që ta kthejë vëmendjen e publikut, opozitës dhe mediave nga emërimi skajshmërisht problematik i drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski. Dikush do të thotë se pati sukses. E ktheu vëmendjen nga problemi, i cili u bë makth”, thuhet në shkrimin e portalit Racin.
Portali Fokus në analizën e tij me titull “Zgjedhjet nuk janë zgjidhje” iu qas në mënyrë kritike kthesës së kryeministrit Mickoski në deklarime.
“Ka të drejtë kryeministri kur thotë se qeveria e re duhet t’i përvesh mëngët dhe të realizojë reforma, projekte, rezultate, veçanërisht në fushat që vetë i ka përcaktuar si parësore-zhvillimi ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, vazhdimi i procesit integrues etj. Atëherë, pse është e nevojshme që Мickoski të ofrojë estradë me maço-deklarata në stilin e pararendësit të tij, Nikolla Gruevski, i cili ndaj çdo sulmi përgjigjej “Ejani në zgjedhje”, duke i ofruar zgjedhjet si recetë për zgjidhjen e çdo problemi dhe situate?”, shkruan Fokus.
Kryeministri u tregon gazetarëve si të punojnë, mediat heshtin
Zmbrapsja e Mickoskit nga kjo ide erdhi edhe pas gatishmërisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, e artikuluar përmes liderit të kësaj partie, Ali Ahmeti për matje forcash në zgjedhjet e përbashkëta lokale dhe parlamentare dhe thirrjes ndaj Mickoskit që “të përgatitet mirë”.
Ndaj thirrjeve të përditshme të BDI-së për zgjedhje të parakohshme, Mickoski u përgjigj me kërkesë ndaj gazetarëve, të cilën e reflekton titulli i portalit Plusinfo: “Retorika e BDI-së do të bëhet më e ashpër: Mickoski kërkoi nga mediat të mos i japin rëndësi“.
Gazetarët e pranishëm në ngjarjen ku u dha kjo deklaratë nuk reaguan fare dhe nuk bënë pyetje se si kryeministri e merr guximin politik që t’u diktojë mediave se cilave deklarata apo porosi do t’u japin rëndësi e cilave jo, pasi kjo është presion i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe të mediave, meqë vjen nga politikani më i fuqishëm në vend.
Aq më shumë që është vetë kryeministri, i cili në asnjë dalje para mediave nuk harron të mos e përmendë BDI-në, qoftë për intencën se “Do të ketë përgjegjësi për përfaqësuesit e BDI-së, për shkak të keqpërdorimeve të mëdha” ose deklaratat gati në formë refreni se “Kemi informacione se BDI-ja për të mbrojtur kapitalin e fituar do të shkaktojë destabilizim“.
Gjithashtu, shumë pak media e aktualizuan çështjen se pse, me gjithë qëndrimet e Мickoskit, pikërisht BDI-ja opozitare në orën 3 pas mesnatës më 7 qershor ia siguroi pushtetit dy të tretat e votave në Kuvend për miratimin e Ligjit për organizimin e qeverisë, me të cilin u shtuan ministri të reja dhe u bë transformimi i disa ministrive ekzistuese. E njëjta vlen dhe për miratimin e Ligjit të pushtetit lokal, me të cilin u mundësua që disa komuna të drejtohen nga ushtrues detyre deri në fund të mandatit, në vend se qytetarët të zgjedhin kryetarët e tyre në zgjedhje të parakohshme.
Përfundime
Mediat funksionojnë në një kontekst shoqëror dhe në punën e tyre ndikojnë shumë faktorë. Faktorët politikë kanë të bëjnë me ndikimin e subjekteve politike – bartësve të funksioneve publike, institucioneve, organeve, partive politike dhe përfaqësuesve të tyre etj.
Ndikimi negativ politik jetësohet në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes presioneve ndaj redaktorëve ose gazetarëve. Në sistemin shoqëror të vendit, politika ua imponon mediave agjendën e ndjekjes së ngjarjeve, e njohur si “Agjenda Seting” (korniza programore).
Debati mediatik mbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare argumentoi për të satën herë se në vend të gazetarisë analitike dhe kritike, pjesa më e madhe e mediave kultivojnë gazetarinë raportuese ose transmetuese, e cila nuk e tejkalon shtresën e parë apo sipërfaqësore të hulumtimit.
Duke qenë përcjellës të denjë të deklaratave të kryeministrit dhe liderëve tjerë politike mbi idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pjesa dërmuese e mediave shndërrohen në mbajtës gjallë të gazetarisë transmetuese, e cila nuk shkon përtej deklaratave apo më thellë në trajtim analitik dhe nuk interpreton faktet, duke marrë për bazë mendimet e ekspertëve dhe faktorëve tjerë shoqërorë.
Ideja dhe zmbrapsja nga zgjedhjet e parakohshme e përforcon argumentin se kryeministri aktual e dominon diskursin politik dhe mediatik, pasi shfaqet shpesh para mediave, gjë që e bën protagonist të pashmangshëm mediatik. Në nivele të ngjashme kjo ka ndodhur edhe më parë, me kryeministrin Branko Cërvenkovski, Lubço Georgievski, Nikolla Gruevski dhe së fundmi Zoran Zaev e Dimitar Kovaçevski. Në komunikimin politik të qeverisë kemi monopol nga kryeministri, gjë që flet për tendenca të kontrollit ndaj “pushtetit të komunikimit”.
Edhe në debatin e fundit mbi zgjedhjet e parakohshme vërehet prania enorme e gazetarisë kopjuese, e cila hetohet nga titujt e njëjtë, të cilat zakonisht, por jo domosdoshmërisht i prodhojnë televizionet nacionale komerciale. Kjo praktikë negative në gazetari, të angazhuarit në portale i shndërron në shpërndarës apo ritransmetues jokritik të përmbajtjeve informative, ndërsa dëshmi e shpeshtë janë gabimet e përsëritura drejtshkrimore, që nga portali që publikon përmbajtjen i pari, e deri tek i fundit.
Rekomandime
Mediat duhet të kenë qasje më kritike ndaj deklarimeve publike të politikanëve dhe duhet që të këmbëngulin në konsekuencë kur është fjala për premtime ose porosi ndaj qytetarëve.
Nevojiten përpjekje më të mëdha të profesionistëve në gazetari për të prodhuar përmbajtje që bazohen tek hulumtimi dhe analiza, e jo vetëm tek përcjellja apo shndërrimi i mediave në kanal për transmetimin e deklaratave politike.
Gazetarët dhe mediat duhet të sigurojnë burime alternative, të cilat do të shërbejnë për balancim në raportim, por edhe për t’i siguruar publikut perspektiva dhe këndvështrime të ndryshme nga ato që i manifestojnë blloqet politike në pushtet dhe në opozitë.
Nevojitet që mediat, sidomos portalet, të shmangin gazetarinë “copy – paste”, e cila siguron raportim njëdimensional dhe të njëtrajtshëm mbi zhvillimet politike.
(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)