Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot realizoi takim me Kris Barton, Komisar për Tregti të Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime dhe propozime për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë për integrim më të madh të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrjetet tregtare globale dhe rajonale.
Siç njoftuan nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski e njohu Bartonin me prioritetet ekonomike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shprehu kënaqësinë për rritjen e vazhdueshme të tregtisë me Mbretërinë e Bashkuar. Ai theksoi se ka baza solide për rritjen e tij në të ardhmen dhe nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e investimeve.
Komisari Barton theksoi interesin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur investimet britanike në vendin tonë dhe për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike duke përmirësuar klimën e biznesit.
“Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në përputhje me Marrëveshjen për Partneritet, Tregti dhe Bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, si dhe për fushat potenciale të bashkëpunimit, veçanërisht zhvillimin e teknologjive të reja, burimet e rinovueshme të energjisë, infrastrukturën, shkëmbimin e praktikave të mira në fushën e transformimit dixhital dhe ekologjik”, thuhet në kumtesë.