Punojmë në mënyrë aktive dhe jemi të përkushtuar për arritje të qëllimit tonë – rritje e qëndrueshme ekonomike dhe pavarësi energjetike të vendit, porositi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Resurseve Minerale, Sanja Bozhinovska, në hapjen e takimit plenar të Grupit punues sektorial për IPA 3 – dritare 3: Axhenda e gjelbër dhe ndërlidhje e qëndrueshme, me fokus në nënsektorin energji, që sot u mbajt në sallën solemne të Qeverisë.
Në ngjarjen, në të cilin morëln pjesë mbi 50 përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, donatorë, sektori joqeveritar dhe bashkësia e biznesit, me pjesëmarrës shtesë, që e kanë përcjellë takimin onlajn, Bozhinovska i prezantoi qëllimet dhe prioritetet e Ministrisë në drejtim të zbatimit të reformave për tranzicion të qëndrueshëm energjetik.
“Gjatë implementimit të politikës energjetike, bashkëpunojmë me ekspertë, me partnerët tanë ndërkombëtarë, ndihma e të cilëve është vitale për zbatimin e suksesshëm të reformave, me bashkësinë akademike dhe të biznesit, organizatat civile, me qëllim të transparencës dhe suksesit në planet e projekztuara. Qëllimi është që të kemi ide inovative dhe modernizim të shpejtë dhe avancim të sektorit energjetik”, tha Bozhinovska.
Këtë, shtoi do ta bëjmë në mënyrë shumë transparente dhe do të jemi korrekt ndaj të gjithë lojtarëve në këtë proves.
“Kjo do të thotë se ne nuk do të kemi prioritet vetëm një kompani, ne duam të jemi të hapur dhe t’u japim mundësi të barabarta të gjithëve. Do t’i rrisim hulumtimet gjeologjike për të përcaktuar mundësitë e reja për burime minerale në zona të paeksploruara më parë, por theksoj se prioritet do të jetë shëndeti i qytetarëve. Nuk do të bëjmë asgjë që nuk është në përputhje me standardet e fundit të BE-së dhe do ta dëgjojmë vullnetin e qytetarëve”, theksoi Bozhinovska.
IPA 3 – Dritarja 3, siç tha, është një kornizë për mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, me qëllim forcimin e axhendës së gjelbër dhe sektorit të energjisë së qëndrueshme dhe në kuadër të këtij programi do të sigurohen mjete financiare në vlerë prej 5,2 milionë euro për mbështetje të projekteve për reduktimin e emetimeve të dëmshme, rritjen e efikasitetit të energjisë dhe zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Këto fonde janë një hap i rëndësishëm përpara drejt arritjes së synimeve për tranzicionin e energjisë së gjelbër. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, donatorëve dhe sektorit civil është kyç për shfrytëzimin e suksesshëm të këtyre mjeteve”, theksoi ministrja Bozhinovska.