Po thellohet kriza politike në Bullgari. Edhe përpjekja e gjashtë e përbërjes së re parlamentare për t’u zgjedhur kryeparlamentari i ri përfundoi pa sukses. Përfaqësuesit e pushtetit në vendin tonë që shpresonin se do të ketë Qeveri stabile politike në Sofje, që të mund të bisedohet për ndryshimet kushtetuese me prapaveprim, tashmë e përmendin opsionin për zgjedhje të reja te fqinjët në pranverë. A do të ketë në ndërkohë plan B për eurointegrimet, nga koalicioni VLEN u përgjigjën:
“Ne do të presim që sa më shpejtë të formohet Qeveria në Bullgari dhe të fillojmë negociatat për zgjidhjen e problemit që ekziston mes dy vendeve. Ne kemi vullnet për këtë, vetëm nuk kemi ndikim në formimin e Qeverisë në Bullgari, andaj duke pasur parasysh këtë do të duhet të presim“, tha Driton Sulejmani.
Në ndërkohë, emisari special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, për më pak se 24 orë vizitoi Shkupin dhe Sofjen.
Më shumë detaje nga takimi Mucunski-Sarazin, nuk ka. Megjithatë informacione shtesë arritën nga nën presidentja bullgare, Ilijana Jotova, e cila përfaqësuesit gjerman i ka porositur se Shkupi nuk ka realizuar asgjë, madje as propozim tekstin për ndryshimet kushtetuese.
Jotova ka theksuar se përveç futjes së bullgarëve në Kushtetutë, Sofja nga Shkupi pret edhe rezultate reale nga puna e Komisionit të historisë, si dhe masa kundër shpërndarjes së ideologjisë antibullgare. Ajo akuzoi se edhe Shkupi po bllokon projekte dypalëshe dhe europiane, ndërsa si shembull e përmendi Korridorin 8.