Një i arratisur në listën e “më të kërkuarve” të FBI-së u kap këtë javë pas më shumë se 20 vitesh në arrati, thanë zyrtarët.
Të martën, zyrtarët njoftuan se një ekstremist i akuzuar për vendosjen e bombave në zonën e San Franciskos ishte arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Daniel Andreas San Diego u kap të hënën në një zonë rurale të Uellsit verior, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit. Pas një paraqitjeje të martën në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit, ai u urdhërua të qëndronte në paraburgim dhe tani përballet me ekstradimin.
San Diego, 46 vjeç, përballet me akuza në Shtetet e Bashkuara për vendosjen e dy bombave që shpërthyen rreth një orë në mëngjesin e 28 gushtit 2003, në një kompani bioteknologjike në Emeryville, Kaliforni. Ai akuzohet gjithashtu se ka vendosur një bombë në një kompani produktesh ushqimore në Pleasanton, Kaliforni, vetëm një muaj më vonë.
Në një deklaratë, drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha: “Arrestimi i Daniel San Diego-s pas më shumë se 20 vitesh si i arratisur për dy shpërthime në zonën e San Franciskos tregon se pavarësisht sa kohë do të duhet, FBI do t’ju gjejë dhe do t’ju kërkojë llogari. ”
“Ka një mënyrë të drejtë dhe një mënyrë të gabuar për të shprehur pikëpamjet tuaja në vendin tonë, dhe kthimi në dhunë dhe shkatërrim të pronës nuk është mënyra e duhur,” shtoi Wray.