Situata në veri vazhdon të jetë e qetë, por me tensione të herëpashershme.
Së fundi, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion në komunat veriore, gjatë të cilit u gjet armatim, uniforma dhe pajisje të tjera ushtarake.
Ky aksion u zhvillua, vetëm një ditë pasi në katër komunat e veriut të Kosovës u shfaqën postera me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mesazhin “Po vijmë për Krishtlindje”.
E në lidhje me këtë zhvillime, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Ilir Kulla.
Ai tha se konflikti në veri është i ngrirë, por jo i shuar. E bazuar në këtë, nuk përjashtëoi mundësi që të kapen edhe armatime tjera, apo edhe të përkeqësohet situata.
“Konflikti në veri të Kosovës është i llojit me intensitet të ulët dhe i ngrirë, por jo i shuar. Si i tillë nuk mund as të përjashtojmë që kapen armatime dhe as që përkeqësohet. Mund të themi që nga shtatori i vitit të shkuar, kur Policia e Kosovës dhe autoritetet kanë vënë nën kontroll veriun, bandat në veri kanë kuptuar që gjërat s’janë më si dikur”.
Kurse, sa i përket posterit se “Po vijmë për Krishlindje’, eksperti kërkoi të ruhet qetësia, pasi provokime mund të ketë
“Duhet të kuptojmë se festat fetare janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës në veri të përkatësisë serbe dhe kjo është normale. Provokime do ketë, por me rëndësi të ruhen nervat e qeta”, tha ndër të tjera Ilir Kulla për “Bota sot”.