Në ambjentet e një spitali privat në Tiranë, është dhënë masa e arrestit me burg për të miturin me inicialet M.P., i cili akuzohet për vrasjen me thikë të 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” disa ditë më parë. Vendimi u mor në spital, pasi autori po trajtohet për plagët që ka pësuar në dorë gjatë përleshjes me viktimën. I mituri ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të dëmtimit nga thika.
Prokuroria e ka akuzuar të miturin për dy vepra penale: “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ishte prokurorja dhe gjyqtarja, të cilat mbërritën në ambientet e spital dhe zhvilluan seancën ku iu komunikua masa e sigurisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e hënë gjatë një përleshjeje fizikemes disa adoleshentëve, 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.
Auori dhe viktima ishin konfliktuar të premten dhe e vijuan zënkën edhe ditën e hënë.
Autori kishte thirrur një shok të tij, nxënës i shkollës “Fan Noli”. Nga ana tjetër, viktima, Cani, kishte thirrur një shok nga shkolla “Mustafa Qemal Atatürk” në Sauk, me të cilin luante në ekipin U-15 të Dinamos.
Gjatë përplasjes mbeti i plagosur edhe shoku i viktimës, ndërsa autori mori një plagë aksidentale në parakrah.
Pas ngjarjes, autori u largua me vrap drejt Pazarit të Ri, ku të njohur të tij e çuan me një makinë në një spital privat për mjekim. Policia e arrestoi në ambientet e spitalit për akuzat e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje.