Kryeministri Hristijan Mickoskit thotë se, vendi është i gatshëm që të fillojë në Kuvend procesin e ndryshimeve të amendamenteve për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, megjithatë nëse pranohet propozimi i qeverisë që amendamentet të hyjnë në fuqi, kur parlamenti bullgar të ratifikojë marrëveshjen qasëse në BE. Ai, në intervistë për RTK, tha se madje, shumica parlamentare mund të ketë mbi 80 deputetë, me çka i ka numrat e nevojshëm për të miratuar edhe ligje për të cilat nevojit shumicë prej 2/3. I pyetur sot rreth kësaj deklarate, Mickoski nuk ka dhënë shumë detaje, por ka konfirmuar se shumica mund të sigurojë mbi 80 deputetë, në rast se ka nevojë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Kur të ketë nevojë prej 80 deputetëve atëherë ndoshta kemi edhe më shumë se 80 deputetë. Deklaratën tim e bazoj në informatat të cilat i kam. Në këtë moment mjafton ta lëmë që kur të ketë nevojë për 80 vota në Kuvend të mundet kjo të dëshmohet edhe në praktikë”.
Në lidhje me emërimin e ish ministres së mbrojtjes Radmilla Shekerinska për zëvendës-sekretare gjenerale të NATO-s, Mickoski tha se, pavarësisht dallimeve ideologjike, duke pasur parasysh faktin se vijnë nga parti të ndryshme, Qeveria nuk ka pasur dilema në mbështjetjen e kandidaturës së saj.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Ne si qeveri jo vetëm që e kemi mbështetur kandidaturën e Radmilla Shekerinskës por edhe kemi biseduar në mënyrë aktive me aleatët tanë. Për ne, uniteti nacional dhe interesat nacionale janë para dhe mbi ato partiake. Dhe në këtë rast, është nder të kemi një maqedonase për zëvendës-sekretare gjenerale e aleancës ushtarake më të fuqishme në historinë botërore dhe këtu nuk kemi pasur dilema as unë dhe as ne si qeveri se duhet ta mbështesim. Gjatë ditës së djeshme jemi dëgjuar me Radmilla Shekerinskën, biseduam, nuk ka dilemë se duhet të bashkëpunojmë së bashku dhe duhet të bëjmë gjthçka që është në fuqinë tonë t’i ndihmojmë armatës së Maqedonisë”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, dje emëroi Shekerinskën për zëvendës-sekretare në Aleancë. Shekerinska është nënkryetare e LSDM-së, ka mbajtur disa poste shtetërore, ndërsa kur vendi u anëtarësua në NATO ajo ishte ministre e Mbrojtjes.
Teuta Buçi /SHENJA/