Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka uruar Radmilla Shekerinskën, ish-ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, e cila u emërua sot zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s, njofton ATSH.
“Urime Radmila Shekerinskës së Maqedonisë së Veriut për emërimin e saj si zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s. Është kënaqësi të shoh këtë rol të rëndësishëm që i besohet për herë të parë një përfaqësueseje të dalluar të një aleati të NATO-s nga Ballkani Perëndimor”, thekson Hasani.
Në urim Hasani dëshiron bashkëpunim në forcimin e angazhimit të përbashkët në paqe dhe stabilitet.
“Mezi pres të bashkëpunojmë ngushtë për të adresuar sfidat e sigurisë rajonale dhe globale dhe për të forcuar angazhimin tonë të përbashkët për paqen dhe stabilitetin”, shkroi Hasani në publikimin në rrjetet sociale.
Radmilla Shekerinska është emëruar sot zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s.