Gjatë fjalës së tij në Kuvend, nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar për vrasjen e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij në Tiranë.
“Ndjesë Martin për jetën që nuk ta ruajtëm dot. Ndjesë familjes së Martinit për dhimbjen e përjetshme që u lamë në gji. Kjo ndjesë është në emër të qeverisë shqiptare”, tha deputeti demokrat.
Duke u ndalur më tej te buxheti, që pritet të votohet në seancën e sotme, Gjekmarkaj tha se i shërben qeverisë dhe jo Shqipërisë.
“Ligji për buxhetin e shtetit duhej të ishte një ligji më i rëndësishëm që diskutojmë në mënyrë të përvitshëm në sallën e parlamentit. Por gjërat e rëndësishme në vendin tonë janë bërë të parëndësishme.
Teksa shoqëria jonë mbetet kureshtare, korrupsioni harton buxhetin dhe buxheti është bujar me korrupsionin. Ai i shërben qeverisë dhe jo Shqipërisë. Shqipëria dhe qeveria janë në konflikt. Qeveria po e grabit atë, ua merr xhepave të qytetarëve dhe ua çon klientëve të vetë në oborr”, tha Gjekmarkaj.