Pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili të hënën në mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare me RMV-në, tha se Gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë gjuhë zyrtare në Maqedoni të Veriut dhe se atje siç u shpreh Kurti, nuk ka ligj për gjuhën shqipe, por ka ligj për përdorimin e gjuhëve që e flasin 20% e popullsisë, ka ngjallur shumë reagime në opinion, e sidomos tek partitë opozitare shqiptare në vend.
Kjo deklaratë e Kurtit, e ka shqetësuar liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili në një takim me qytetarët e Butelit, tha se kryeministri i Kosovës është dezinformuar nga siç i quan ai, vazalët shqiptarë në qeverinë pa legjitimitet etnik. Sipas Ahmetit, me heqjen e ligjit për gjuhën, shqiptarëve u hiqet shtetformësia.
ALI AHMETI, KRYETAR I BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Më shqetësoi deklarata e kryeministrit të Kosovës. Më vjen keq që ai, dhe dua të besojë se është keq i informuar nga ish partiakët e mi, që shumica kanë qenë për ligjin e gjuhës. Nuk do të doja ta ndëgjojë nga kryeministri i Kosovës se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni të Veriut, nuk do doja ta ndëgjoja. Sepse për atë gjuhë zyrtare djemtë e nënanave kosovare derxhen në Sllupçan të Kumanovës. Nënat nuk i kanë marrë t’i vajtojnë e t’i varrosin andej, por i kanë lënë, se e kanë ditur që nëna shqiptare i vajton dhe ua përkëdhel ballin edhe këtu. Edhe ata janë këtu, nuk prehen në Kosovë. Në mbrotje të gjuhës dhe të gjakut që kanë derdhur. Prandaj, më vjen keq për këto bashkëpartiak të mi që e kanë keqinformuar kryeminsitrin e Kosovës se gjuha shqipe nuk është zyrtare”.
Ndërkaq, zv/kryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, nga koaliconi VLEN, pjesë e qeverisë, thotë se këto reagime nga opozita shqiptare në vend, vijnë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka thënë troç të vërtetën për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa opozitën e quan opozita e 20%-shit.
ARBEN FETAI, ZV/KRYMINISTËR PËR QEVERISJE TË MIRË
“Dhe pse gjithë kjo zhurmë? Sepse Kurti e tha troç të vërtetën për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut! Kush po e kritikon?Opozita e 20%-shit! Ata që për 22 vite kanë heshtur dhe nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët! Ata që kanë lënë shqipen të mbetet peng i një ligji të cunguar dhe të gjykatësve të emëruar nga vetë ata! VLEN-i thotë me zë të lartë: Shqipja nuk do të jetë përqindje! Shqipja është krenaria jonë, identiteti ynë kombëtar, dhe nuk ka forcë që të na ndalë ta vendosim atë aty ku e ka vendin! Ata që kanë përvetësuar miliona duke abuzuar me ndjenjat patriotike të popullit, tani duhet të përgjigjen! Koha e manipulimeve ka marrë fund!”.
Kujtojmë se reagime të njejta ka pasur edhe nga kryetari i Alencës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejdi, ndërsa në mbrotje të Kurtit kanë dalur eksponentë të koalicionit VLEN.
Samir Mustafa /SHENJA/