Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar lidhur me mbledhjen e sotme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, duke thënë se ky takim nuk mund të shërbejë si një fasadë për të mbuluar dështimet e qeverisë aktuale dhe orientimin e saj kundër interesave të barazisë dhe multietnicitetit në vend. Sipas BDI-së, Qeveria me eksponent që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ka bllokuar marrëveshjet.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Kjo qeveri pa legjitimitet etnik, ka në gjirin e vet Ivan Stoilkoviqin, një politikani të njohur për qëndrime proputiniane si zëvendëskryeministër përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe person që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës si dhe lartëson terroristët e Radojçiqit në Banjskë. Shqiptarët përballen me rikthimin e praktikave diskriminuese, si mohimi i identitetit etnik dhe kërcënimi ndaj gjuhës shqipe”.
Nga partia e Ahmetit shtojnë se projektet më të rëndësishme të bashkëpunimit strategjik midis dy vendeve, përfundimi i dy kilometrave të para nga autostrada Shkup – Bllacë, hapja e pikës kufitare Bellanoc – Stançiq, ngritja e pikës së përbashkët kufitare One-Stop-Shop, lidhja infrastrukturore përmes projektit të rrugës Tetovë-Prizren, zhvillimi i projekteve turistike Kodër e Diellit-Brezovicë, janë inicuar, miratuar dhe realizuar pikërisht nga BDI.
Këto projekte sipas BDI-së, kanë forcuar marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Samir Mustafa /SHENJA/