Duke pastruar burimet në vendin e quajtur “Kaja e Ravenit” të Gostivarit , një banorë i fshatit Raven me emrin Muhamed Baftjari, që të gjithë në fshat e njohin si Doda, hasi në një statujë. Pasi e nxori në sipërfaqe, e pa se ka gjetur një statujë duke mos e ditur se ka gjetur një thesar të madh, por dhe të rrallë. Pasi e pastroi mirë, rastin e paraqiti në institucionet përkatëse, me qëllim për ta dorëzuar të njëjtën.
“Kishim një aksion për pastrimin e ujit tek Kalaja edhe papritmas na doli kjo statujë dhe u habitëm edhe vetë se çka është kjo dhe e pamë se është diçka e çuditshme. Nuk ishte guri normal dhe duke e pastruar, e pamë se është një statujë dhe disa ditë e mbajtëm për shkak të situatave dhe nuk dinim as ku ta lajmërojmë dhe u interesuam dhe i lajmëruam institucionet që janë përkatëse në Komunën e Gostivarit. Erdhën dhe e konstatuan se çka është”, tregon Muhamed Baftjari, banor i Ravenit.
Por pse pikërisht kjo statujë në këtë lokacion. Guri që është gdhendur në statujë, është gur që përdoret edhe sot e kësaj ditë, ndërsa Baftajari pohon se ky fshat është një thesar arkeologjik.
“Aty e kemi dhe Kalanë, kemi edhe varret që janë shumë të vjetra, kemi dhe shumë pjesë të tjera të fshatit që janë historike sepse ka mure të vjetra me qeramikë të vjetër, por më shumë është tek Kalaja. Kemi dhe kishën aty dhe gjithmonë kur punojmë aty, gjithmonë hasim në pjesë të këtyre punimeve. Kemi pasur dhe kullën – edhe aty e njëjta situatë, i gjithë fshati te pjesa e sipërme, siç shihet rruga e vjetër, gjithmonë kur punojmë, aty dalin pjesë të punimeve. Kjo rrugë është tek kalaja, i njëjti material është ky edhe tek guroret, është i njëjti material edhe sot e kësaj dite punojmë më këtë gur, por tek Kalaja është vend që e ka përdor shteti në kohën e ish-Jugosllavisë si gurore”, tha Baftjari.
Viti se prej kur daton statuja në këtë vend nuk dihet, por Baftjari thotë se ata vazhduan ta kërkojnë dhe kokën e statujës, por vendi është shumë guror dhe me ujë dhe e kishin të pamundur të vazhdojnë me kërkime.
Raveni është një vendbanim i vogël, por edhe përkundër kësaj, në këtë vend kanë lokacione që quhen si Kalaja, Kisha dhe Manastiri. Gjithashtu, në këtë lokacion ka edhe një xhami të vjetër shumë-shekullore. “Fshati jonë ka Kalanë, Kishën dhe Manastirin, plus fillon ajo pjesë që kanë qenë banimet e hershme, hasin shumë gjëra nga e kaluar, zakonisht kur kemi lëvruar tokat më shumë hasim tullat e vjetra. Siç kanë treguar pleqtë, këtu kanë jetuar Ilirët, pastaj ka pas shpërngulje shkaku i shumë luftërave dhe tani ne jemi banor të rinj”, tregon Baftjari atë që e ka dëgjuar nga të parët e tij.
Statuja tashmë është në Qendrën për konservim në qytetin e Gostivarit, e cila është e vetmja e këtij lloji në Maqedoni dhe e vetmja me këto përmasa. Nga kjo qendër, drejtori Cvetko Novakovski thotë se statujë të tillë me këtë madhësi akoma nuk është gjetur në Maqedoni.
“Statuja ka një kualitet shumë të lartë, është 1.5 metra e lartë, ka një gjerësi nga 47 centimetra me 20 centimetra e gjerë. Mendoj se në Maqedoni nuk është gjetur një gjë statujë e këtillë, jam konsultuar me kolegët, janë gjetur statuja tjera, por me këtë madhësi akoma nuk është gjetur ndonjë”, tha Cvetko Novakovski, drejtor i Qendrës për konservim në Gostivar. Në këtë vendbanim hasen edhe shumë varreza të vjetra, kurse fshatarët këta varreza i ruajnë me fanatizëm, pasi sipas tyre, në këtë vendbanim ka më shumë varreza sesa njerëz të gjallë. Ajo që ende mbetet e paqartë është se pse deri më tani nuk është organizuar ndonjë ekspeditë e arkeologëve që të bëhen kërkime të mirëfillta se çka në të vërtetë ka në këtë fshat nga e kaluara. (koha.mk)