Gjatë fjalës në konferencë me gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka paraqitur edhe amendamentet që janë përgatitur për ti propozuar në buxhetin e vitit 2025.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Pra, për të adresuar problemet themelore të këtij buxheti, grupi parlamentar i PD paraqet si kryeamendament, minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar.
2. Rritja e pensioneve dhe pesëfishimin e fondit për rritjen e tyre, pra nga 16 mln euro në 80 mln euro.
3. Trefishimi i fondeve për të përndjekurit politikë, (nga 1.2 miliardë leke në 4.2 miliardë lekë).
4. Rritja me 1% të PBB-se të buxhetit të arsimit (dhe rritje graduale me 1% çdo vit derisa të arrijë në shifrën 5 përqind).
5. Rritja me 1% te PBB-se të buxhetit të shëndetësisë (rritje graduale me 1% çdo vit gjer në shifrën 5 përqind).
6. Rritje me 50% të fondeve për barnat e rimbursueshme (60 mln euro shtesë). Kanë hequr nga rimbursimi ilaçet jetike, sidomos për pensionistët dhe të tjerë.
7. Pezullimi i menjëhershëm i të gjitha pagesave buxhetore për PPP-të në shëndetësi (përveç dializës).
8. Rritja me 10% e pagave të gjithë administrates publike (përveç pagave të larta).
9. Rritje me 20% të pagave të mësuesve dhe pedagogëve, mjekëve dhe infermierëve.
10. Fondi për kërkimin shkencor rritet në 20 milionë euro.
11. Rritja e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë me një shtesë prej 130 milionë euro.
12. Mbështetje e prodhimit vendas me 50 mln euro.
13. Katërfishim i subvencionit për fermerët, blegtorët dhe agroindustrinë, nga 30 në 120 mln euro.
14. Rritja jo më pak se 15 mln euro shtesë fondeve për Spitalin Onkologjik duke vendosur 10 përqind të akcizës.
15. Përgjysmimi i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore dhe vendore (pa cenuar shpenzimet jetike, të sigurisë dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë).
16. Trefishimi i fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve.
Kjo është fytyra e buxhetit që paraqet sot PD në parlament.
Me këtë buxhet, të dashur qytetarë, nuk kemi lënë asnjë vepër publike pa vazhduar punën, por së pari kemi barazuar apo kemi përparësuar investimin në radhë tek njeriu dhe pastaj te kapitali fizik.
Së dyti, pjesëtohet me 10 çmimi i ndërtimit të rrugëve dhe punëve të tjera publike dhe parashikohet çmimi mesatar i ndërtimit si në vendet e BE.